KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Reagim i Odës së Avokatëve të Kosovës në rastin e sulmit ndaj avokatit, Mahmut Halimi

31 August 2018

ekipi

31.08.2018, Prishtinë - Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh shqetësim të thellë ndaj sulmit fizik i cili ka ndodhur sot ndaj avokatit z. Mahmut Halimi.

OAK e konsideron të papranueshëm dhe tejet shqetësues këtë veprim, e aq më shqetësues për faktin se avokati Halimi u sulmua pikërisht në institucionin e Prokurorisë, atë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Njëherësh, OAK kërkon nga organet e drejtësisë që të merren me këtë rast, duke e konsideruar si lajm tejet të keq që një avokat sulmohet gjatë kryerjes së detyrës së tij.

Avokati, Mahmut Halimi, ka konfirmuar që është sulmuar në zyre të prokurorit z. Njazi Rexha nga Sabit Lushtaku i cili ishte duke u marrë në pyetje ne cilësinë e dëshmitarit.

Ky nuk është rasti i parë i kërcënimit dhe sulmeve ndaj avokatëve. OAK, kërkon nga institucionet e drejtësisë që të sigurohen avokatët në ushtrimin e profesionit të tyre në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Oda e Avokatëve të Kosovës do të ushtroj funksionin e saj kushtetues dhe juridik duke mbështetur fuqishëm avokatët për të mos iu nënshtruar asnjë lloj presioni në ushtrimin e detyrave të tyre të garantuara me kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.