KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Kryetari z. Behar Ejupi mori pjesë në takimin online me akterët e sistemit të drejtësisë

12 August 2020

ekipi

12.08.2020, Prishtinë – Me ftesë të Ambasadës Amerikane, Kryetari i OAK-së, z. Behar Ejupi ka marrë pjesë në takimin online me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të sistemit të drejtësisë, z. Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme, z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, z. Skender Çoçaj, Kryesues i KGJK-së dhe gjyqtarë të tjerë prezent që kanë filluar me mbajtjen e seancave online edhe në procedurë penale.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi, lidhur me mundësinë e mbajtjes së seancave virtuale (ONLINE) në rastet penale.

Takimi është hapur nga znj. Lana Owens, Këshilltare ligjore në Ambasadën Amerikane, duke e cilësuar si një ndër takimet më të rëndësishme ndërmjet akterëve të sistemit të drejtësisë, marrë parasysh edhe kohën e pandemisë në të cilën ndodhemi.

Bazuar në situatën me Pandeminë Covid-19, në këtë takim, janë diskutuar modalitetet dhe mundësitë nga pjesëmarrësit që seancat për të cilat dakordohen palët dhe plotësohen kushtet, të mbahen online, duke theksuar nevojën e pakontestueshme për gjetjen e alternativave me qëllim të zhvillimit të procedurave gjyqësore dhe përfundimin e tyre, karshi situatës në të cilën gjendemi.

Kryetari Ejupi, duke theksuar pozitën dhe vështirësitë shumë të mëdha në të cilat gjenden avokatët në nivel Republike, ka theksuar se Oda e Avokatëve të Kosovës do të jetë pro kësaj nisme dhe se anëtarësia përkatësisht avokatët, janë shumë të interesuar që të filloj puna, edhe në këto kushte. Ai poashtu ka kërkuar që të shtohet intensiteti i punës për fillimin dhe mbajtjen e seancave online jo vetëm në çështjet penale, por edhe në ato civile, administrative dhe ekonomike, kur nuk kemi mundësi për mbajtjen e seancave në mënyrë të rregullt.

U theksua se duke filluar nga shtatori do të shtohet intensiteti i punës për realizimin e këtij projekti të përbashkët, ndërkohë Ambasada Amerikane, këtë proces do t’a përkrahë më ekspertizën e saj, në ndihmën për përdorimin e platformës/ave që do të përdoret/n.