01 September 2020
01.09.2020 Prishtinë – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi, së bashku me nënkryetarin, z. Naim Rudari, vizituan Këshillin Prokurorial të Kosovës, me ç’rast në takim u pritën nga kryesuesi i Këshillit, z. Bahri Hyseni dhe anëtari i Këshillit, z. Arben Ismajli.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i sfidave të avokatëve dhe prokurorëve, si dhe shtjellimi i shumë çështjeve me rëndësi për avokatët dhe sistemin e drejtësisë, në këtë kohë pandemie.
Kryetari, z. Ejupi dhe nënkryetari, z. Rudari, në këtë takim kanë paraqitur kërkesat e anëtarësisë së Odës së Avokatëve të Kosovës, përkatësisht Këshillit Drejtues, lidhur me fillimin e punës nga Prokuroria në nivel të Republikës së Kosovës, me kapacitete të plota, duke respektuar rekomandimet dhe udhëzimet e IKSHPK-së.
“Në këtë kohë të pandemisë, duhet theksuar se avokatët janë ndër më të prekurit dhe se gjendja e tyre është shumë e vështirë, për shkak të ndalimit të punës në gjykata dhe prokurori, andaj, kërkojmë që prokuroritë në varësi të situatës dhe konform rekomandimeve dhe udhëzimeve për mbrojtje nga virusi Covid-19, të fillojnë punën me kapacitete të plota” theksoi kryetari Ejupi.
Poashtu u paraqitën kërkesat e Odës, për rishikimin e tarifave për angazhimet e avokatëve në rastet sipas detyrës zyrtare, ku të dyja palët u pajtuan që të formojnë grupet punuese dhe sa më shpejtë të filloj puna për ndryshim plotësimin e udhëzimit administrativ, që gjendet në fuqi lidhur me këtë çështje, me qëllim të ngritjes së tarifave, të cilat janë minimale.
Kryesuesi z. Bahri Hyseni, tha se KPK, është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha prokuroritë, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për veprimtarinë e avokatëve brenda sistemit prokurorial dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të të dy institucioneve, me qëllim të funksionimit dhe fuqizimit të sistemit të drejtësisë. Ai poashtu theksoi se intensiteti i punës së prokurorive respektivisht prokurorëve do të shtohet në ditët në vijim dhe se do të jenë prezent në seanca, nën kujdesin dhe respektimin e normativës që ka të bëjë me pandeminë Covid-19 të institucioneve në Republikën e Kosovës.
U diskutuan edhe një sërë çështjesh me rëndësi, për të cilat palët u dakorduan që së bashku të fillojnë angazhimin konkret duke u zotuar se në të ardhmen do të punohet për eleminimin e sfidave të përbashkëta. Të dy krerët e institucioneve shprehën gatishmëri të plotë për realizimin dhe përmbushjen e misionit të të dy institucioneve si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, përmes koordinimit në krijimin e politikave për fuqizimin e aktiviteteve dhe realizimin e objektivave ndërinstitucionale.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që të vazhdojnë me komunikim të rregullt ndërinstitucional për identifikimin e çështjeve që janë me rëndësi për të dyja institucionet dhe për t’i avancuar bashkërisht proceset e mëtutjeshme.