14 September 2021
14.09.2021, Prishtinë – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.
Në këtë takim, morën pjesë edhe Nënkryetari i Odës, z. Naim Rudari dhe Kryetari i Degës Regjionale në Prizren, z. Hajrip Krasniqi.
Përfaqësuesit e OAK-së, para Kryekuvendarit, paraqitën të arriturat, sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet Oda e Avokatëve të Kosovës dhe avokatia në përgjithësi.
Një ndër çështjet me theks të veçantë, që u diskutua në këtë takim, ishte projekt Kodi i Procedurës Penale, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe ka kaluar në Kuvend për procedim të mëtejmë. U paraqitën një sërë propozimesh për këtë projekt Kod, por edhe për Ligjet tjera me rëndësi për sistemin e drejtësisë.
Kryekuvendari z. Konjufca, shprehu gatishmërinë e tij për të dëgjuar këto propozime dhe për të dhënë shtytje secilës çështje, që është në interes të sistemit të drejtësisë.
Të dy krerët e institucioneve u pajtuan për bashkërendim të aktiviteteve, me qëllim të arritjes së synimeve të përbashkëta, për forcimin e sundimit të së drejtës dhe përmirësimin e akteve ligjore që prekin sferën e drejtësisë dhe të avokatisë në Kosovë.