KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

OAK dhe ATK diskutuan çështjen e arkave fiskale për avokatë

08 October 2021

ekipi

Prishtinë, 08.10.2021 – Përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës, në krye me Kryetarin e saj, z. Behar Ejupi dhe anëtarët e Komisionit për arka fiskale, numrin e biznesit apo kodin e veçantë për avokat, z. Admir Salihu, Arben Toska dhe z. Shpetim Sadiku, u pritën në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Ilir Murtezaj, z. Nahit Sharku u.d. Zv. Drejtor i Përgjithshëm dhe u.d. Zv.Drejtorin e Përgjithshëm për Operacione z. Nijazi Asllani.

Në këtë takim, u diskutuan shqetësimet e avokatëve për arkat fiskale ose detyrimin që po kërkon ATK-ja për pajisjen me arka fiskale.

Përfaqësuesit e Odës, njoftuan menaxhmentin e lartë të ATK-së, për mënyrën e funksionimit dhe rregullimit të avokatisë në Kosovë, si kategori kushtetuese me rregullim të veçantë ligjor, duke përsëritur vendimin e Kuvendit të OAK-së, (i cili ende është në fuqi nga viti 2012) lidhur me pagesat për shërbimet e ofruara të cilat duhet të bëhen përmes llogarive bankare.

Përfaqësuesit e ATK-së, bënë të ditur se çështja e fiskalizimit është detyrim ligjor për të gjitha bizneset sipas ligjeve në fuqi, derisa nuk është obligim për ato biznese që për ofrimin e shërbimeve të tyre nuk përdorin para kesh (cash), por paratë i pranojnë përmes transferit bankar.

Lidhur me këtë çështje, do të diskutohet edhe në mbledhjen e Këshillit Drejtues e caktuar për datë 11.10.2021.