KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

U mbajt tryezë e përbashkët nga akterët e sistemit të drejtësisë në Regjionin e Mitrovicës

14 October 2021

ekipi

Mitrovicë, 14.10.2021 – Dega Regjionale e Odës së Avokatëve të Kosovës, në Mitrovicë, në bashkëpunim me OSBE-në në Kosovë, organizoj tryezën e përbashkët Bench Bar, me akterët e sistemit të drejtësisë në Regjionin e Mitrovicës.

Tema e diskutimit në këtë tryezë ishte: “Integrimi në Sistemin e Drejtësisë ne Regjionin e Mitrovicës të arriturat dhe sfidat, takimi i IV.”

Takimin e kryesoi Kryetari i kësaj Dege, z. Vehbi Beqiri, ndërsa pjesëmarrës ishin Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë z. Nikola Kabasic, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Ismet Ujkani, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjyqtari z. Avni Mehmeti, gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës nga stacionet në Jug dhe Veri të Mitrovicës si dhe përfaqësuesi i OSBE-së, z. Xhelal Beqiri.

Qëllimi i këtij takimi të përbashkët, ishte vazhdimi dhe thellimi i më tejmë i bashkëpunimit në mes të akterëve të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të fuqizohet drejtësia në Kosovë, me theks të veçantë në Regjionin e Mitrovicës.

Në këtë takim të përbashkët u diskutuan të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet e drejtësisë në Regjionin e Mitrovicës. Këto takime të përbashkëta planifikohet të jenë jo formale. Të gjitha çështjet do të jenë specifike dhe të fokusuara. Këto zgjidhje mandej do të ndahen me autoritetet Regjionale dhe ato të nivelit Qendror.

Pikat në fokus:

  • Trajtimi i lëndëve të vjetra, civile dhe penale;
  • Përkthimi-sfidat;
  • Organizimi i terminëve të gjykimit, në bashkëpunim gjykatë-prokurori-avokat

Përmbledhje e të gjeturave dhe rekomandimeve nga takimi:

  • Përkundër integrimit të sistemit gjyqësor nga viti 2017, në Regjionin e Mitrovicës, vazhdon të jetë gjendja e rëndë në trajtimin e rasteve të shumta në pritje si në fushën civile dhe penale;
  • Është i domosdoshëm përshpejtimi i emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinjë, e sidomos atyre shqiptarë, pavarësisht se janë emëruar 9 nga gjithsejtë 22 gjyqtarë në Mitrovicë, ata nuk do të mund të fillojnë të punojnë lëndë pa kaluar afati një vjeçar;
  • U konfirmua numri i madh i lëndëve të cilat akoma nuk trajtohen edhe përkundër faktit se janë lëndë të vjetra, në pritje nga viti 2002 e tutje si në fushën civile ashtu edhe në atë penale;
  • Nuk duhet trajtuar lëndët e reja pa u trajtuar lëndët që kanë mbetur pa u trajtuar;
  • Përfaqësuesi i KGJK-së, njoftoj se është në proces nxjerrja e Rregullores për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve varësisht nga lëndët që trajtojnë.
  • Secili gjyqtar të vlerësohet përmes raportit se ai ka trajtuar me prioritet lëndët e vjetra, kryesisht me karakter pronësie apo ka pasur përzgjedhje selektive, duke trajtuar lëndët kryesisht, që lidhen me paga jubilare apo të ngjashme;
  • Përkthyesit dhe përkthimi janë ndër çështjet kryesore që ndikon në azhurnimin e lëndëve të cilat janë në pritje, prej një kohe të gjatë në përkthim. Sipas kësaj dinamike edhe pse përkthyesit aktual në numër të vogël, me ngarkesë të madhe në punë, për shkak të numrit të madh të lëndëve dhe kërkesat e mëdha për përkthim të drejtpërdrejt, nuk po arrijnë t’a përballojnë nevojën e madhe për të pasur përkthimin në afat të arsyeshëm.
  • KGJK, duhet ndërmarr hapa urgjent në këtë drejtim, duke shtuar numrin e përkthyesëve apo shfrytëzuar përkthyesit nga gjykatat tjera në Kosovë, duke ua përmirësuar kushtet e punës, pagën marrë parasysh edhe kriteret për rekrutimin e stafit, për një përkthim me kohë dhe kualitet të duhur.
  • Koordinimi i caktimit të seancave gjyqësore në veçanti seancave të para, ku në mungese të një koordinimi adekuat, shumë seanca dështojnë për shkak se ato nuk koordinohen në mes gjykatës, prokurorisë dhe avokatëve. Ndodhë që të caktohen disa seanca të ndryshme në kohë të njëjtë, kur prokurori nuk mund te prezantoj, si rezultat i mungesës së numrit të prokurorëve apo edhe avokatët kanë të caktuara seanca në të njëjtën datë dhe kohë. Në mungesë të këtij koordinimi shumë seanca dështojnë për këto arsye.

Në takim u shtruan dhe çështje tjera, të cilat do të jenë në fokus, në takimet e radhës si:

  • Azhurnimi i fletë arresteve;
  • Azhurnimi i aktakuzave të cilat një kohë të gjatë janë në pritje të gjykimit dhe ato ku ka ndryshime si vdekja etj.. të pushohen apo ndryshohen, duke pas parasysh gjendjen faktike.
  • Strategjia për trajtimin e lëndëve në gjykata;
  • U njoftuam nga përfaqësuesi i KGJK-së, në lidhje me projektin për pajisjen e gjykatave me pajisje për video dhe audio regjistrimin e seancave gjyqësore, i cili shpejt do të jetë në përdorim;
  • Kushtet e vështira në objektin e gjykatës në Mitrovicë, përkatësisht objekti “ish Jugobanke”
  • Mos njoftimi i mbrojtëseve me rastin e ndërrimit të masës së sigurisë në veçanti paraburgimit;
  • Masave në lidhje me dhunën në familje si ato penale dhe civile të koordinohen;
  • Pajisja e palëve me aktakuzën kur i dërgohet ftesa për seance fillestare, për të cilën gjykata duhet menjëherë pas ngritjes së aktakuzës, të njoftoj palët dhe t’i jep në kopje të aktakuzës e jo të pritet me vite deri sa të fillon gjykimi.

Takimi u përmbyll me këto të gjetura duke u theksuar se duhet të ketë vazhdimësi të këtyre takimeve, me qëllim që të shihet se sa po realizohen të gjeturat e këtij Bench Bar-i ashtu që për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë tryezë u falënderuan pjesëmarrësit, për kontributin e tyre dhe pjesëmarrjen e rregullt në këto takime tani më tradicionale.