KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Kryetari i Odës u takua me avokatë të cilët paraqesin shqetësimet e tyre në raport me AKP-në dhe BSPK-në

11 February 2022

ekipi

Prishtinë, 11.02.2022 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi, priti në takim disa avokatë nga Dega Regjionale e Prishtinës.

Avokatët z. Bejtush Isufi, z. Anton Nokaj, z. Hamdi Podvorica dhe z. Bekim Ahmeti para Kryetarit Ejupi, shprehën shqetësimet e tyre lidhur me tendencën për degradimin e pozitës së avokatit me ndryshimin e praktikave/provedurave të deritanishme nga Bashkimi i Pavarur i Sindikatave të Kosovës.

Ky ndryshim i përket fazës përfundimtare të procedimit të pagesave që lidhen me 20% e ndërmarrjeve të privatizuara, ku BSPK-ja pagesat tenton t’i lëshoj direkt në xhirollogaritë e përfituesëve duke anashkaluar në tërësi avokatët pavarësisht se të njëjtit kishin dorëzuar dokumentacionin dhe autorizimet përkatëse.

Kryetari z. Behar Ejupi, u zotua se si cdo herë dhe në të gjitha rastet do të vazhdoj të mbroj dhe përkrah të drejtat legjitime të të gjithë avokatëve nga pozicioni i tij dhe se Oda e Avokatëve të Kosovës në këtë rast do t’i drejtohet organeve gjegjëse për të kërkuar që të eliminohen këto pengesa.

Në shkresën e dorëzuar Kryetarit të BSPK-së dhe Kryetarit të Bordit të AKP-së, nga Oda e Avokatëve të Kosovës ndër të tjera u theksua se:

“...procedurat kanë filluar nga avokatët bazuar në autorizimet (e noterizuara), kanë vazhduar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe janë përfaqësuar nga avokatët të cilët do të duhej të kompensoheshin bazuar në prokurorat/autorizimet që posedojnë nga palët, andaj është e pa pranueshme dhe jo ligjore ndryshimi i praktikave të deritashme të cilat kanë qenë funksionale dhe ligjore”.

OAK në vazhdim ka kërkuar nga BSPK që pa hezitim të vazhdoj me praktikat e deritanishme në mënyrë që mos të shkaktohen shkelje ligjore dhe dëme të pa rikuperueshme, e të cilat pa dyshim do të jenë barrë e atyre që kanë ndryshuar procedurat/praktikat e deritashme.

Oda e Avokatëve të Kosovës,  po ashtu ka kërkuar nga BSPK, që bazuar në legjislacionin në fuqi, në asnjë mënyrë të mos anashkaloj avokatët, në të kundërtën do të vazhdoj të gjitha procedurat ligjore dhe do të kërkojmë përgjegjësi eventuale, lidhur me dëmet e shkaktuara për anëtarët e saj/anashkalimin ligjor të Avokatëve në procedura të tilla.

Oda e Avokatëve të Kosovës, do të vazhdoj të përfaqësoj dhe mbroj dinjitetin dhe interesat e avokatëve në nivel Republike dhe për këtë arsye inkurajon të gjithë anëtarësinë e saj që të raportojnë problemet e tyre në raport me sistemin e drejtësisë.