16 March 2022
Prishtinë, 16.03.2022 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi, priti në takim z. Shawn Waddoups – Drejtor nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit (INL) - Ambasada Amerikane në Kosovë, z. Pete Swanson, Drejtor i FMCS-së, z. David Moora dhe znj. Emily Rife – Komisionerë në FMCS dhe z. Enver Fejzullahu, Drejtor Ekzekutiv në Akademinë e Drejtësisë.
Në këtë takim, u diskutua për rolin e avokatëve në aplikimin e procedurës alternative të zgjidhjes së kontesteve, përkatësisht procedurën e ndërmjetësimit.
Kryetari Ejupi fillimisht shprehu falënderimin e tij për gatishmërinë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara që ta ndihmojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, derisa njoftoj në përgjithësi për gjendjen në Odën e Avokatëve të Kosovës si dhe sfidat me të cilat aktualisht ballafaqohet Oda por edhe avokatët në përgjithësi, derisa ndër të tjera paraqiti edhe synimet e OAK-së, me qëllim të lehtësimit të ushtrimit të profesionit të avokatit.
Z. Ejupi, tha se Oda e Avokatëve të Kosovës, do të përkrah projektin që lidhet me ndërmjetësimin, derisa u zotua se këtë çështje bashkërisht mund ta shtyjmë përpara, nëpërmjet organizimit të trajnimeve për avokat lidhur me këtë temë, në të gjitha regjionet e Kosovës. Ai ndër të tjera shtoj se “Ndërmjetësimi është në të mirë të të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe ne mund të bëjmë gjithçka që duhet për ta shtyrë përpara këtë projekt, sepse kjo lehtëson procedurat e zgjidhjes alternative të kontesteve. Zgjidhja e kontesteve përmes ndërmjetësimit është procedurë shumë e shpejtë dhe se është interes edhe i qytetarëve dhe avokatëve që të zgjidhen kontestet sa më shpejtë, derisa në anën tjetër kemi zvogëlim të lëndëve në Gjykatat tona që janë shumë të ngarkuara”
Z. Waddoups, theksoj se së bashku me ekipin e tij, për këtë projekt të cilin e ka filluar me Akademinë e Drejtësisë, do të promovojnë ndërmjetësimin si profesion i lirë ligjor, për zgjidhjen sa më të lehtë dhe të shpejtë të kontesteve, atyre që mund të zgjidhen përmes ndërmjetësimit, derisa synohet që të forcohet besimi i qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë por edhe ato ekzekutive. Ai gjithashtu shtoj se avokatët kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces.
Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë z. Fejzullahu, tha se avokatët kanë rol të veçantë në procedurat e ndërmjetësimit, sepse në fund të fundit do të përfitojnë njerëzit. Akadamia e Drejtësisë është e interesuar që ta shtyj këtë projekt përpara.
Pjesëmarrësit në këtë takim, u dakorduan për ndërmarrjen e hapave në vijim, me qëllim të realizimit të projektit që ka synim shfrytëzimin e procedurës së ndërmjetësimit, për zgjidhjen e kontesteve dhe mos marrëveshjeve të palëve, si një zgjidhje shumë efikase dhe më e shpejtë, derisa gjyqësori do të lehtësohej shumë.