22 September 2022
22.09.2022, Prishtinë – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi, mori pjesë në Tryezën e rrumbullakët për Koordinimin Ndërinstitucional për Ndërmjetësimin Penal, të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Zyra për çështjet ndërkombëtare si dhe zbatim të ligjit/shërbimi federal i ndërmjetësimit dhe pajtimit të SHBA, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë.
Pjesëmarrës në këtë tryezë, përveç Kryetarit Ejupi, ishin edhe Drejtoresha e re e INL-së, znj. Tamra Greig, znj.Emily Rife Komisionere nga Zyra Federale për Ndërmjetësim dhe Pajtim, Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesëve znj. Ganimete Xhelili, Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu etj.
Tema e cila është diskutuar gjatë kësaj tryeze ishte, Ndërmjetësimi dhe rëndësia e tij në lëndët penale, duke përfshirë edhe sfidat dhe mundësitë që ofron procedura alternative për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, pra ndërmjetësimi.
Kryetari z. Behar Ejupi, gjatë diskutimeve të tij theksoj se Ndërmjetësimi si procedurë apo rrugë alternative për zgjidhje të konflikteve apo mos marrëveshjeve është jashtëzakonisht me rëndësi duke siguruar pjesëmarrësit se OAK, në kuadër të kompetencave që i takojnë do ta shtyj përpara, gjithmonë nëse kemi parasysh faktin se avokatët kanë një rol kyç në të gjitha procedurat juridike relevante, përkundër faktit se ndërmjetësimi ballafaqohet me sfida të ndryshme.
Dihet ose është fakt i pa kontestueshëm se ndërmjetësimi është në të mirë të të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe ne bashkërisht duhet të punojmë shumë për ta shtyrë përpara këtë projekt, sepse kjo lehtëson procedurat e zgjidhjes alternative të konflikteve apo kontesteve ku zgjidhja e konflikteve apo kontesteve përmes ndërmjetësimit është procedurë shumë e shpejtë dhe se është interes edhe te qytetarëve dhe avokatëve që të zgjidhen kontestet sa më shpejtë, derisa në anën tjetër kemi zvogëlim të lëndëve në Gjykatat tona që janë shumë të ngarkuara. Përmes këtij sistemi, nuk ka humbës, aty fitojnë të gjithë, në rend të parë interesi i përgjithshëm sepse fiton qytetari, e më së shumti drejtësia.
Më tutje, në këtë tryezë u zhvillua diskutim i gjerë dhe përmbajtësor lidhur me procedurën e ndërmjetësimit.