KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Kryetari Behar Ejupi, priti në takim Kryesuesin e KGJK-së Albert Zogaj

08 November 2023

ekipi

Prishtinë, 08.11.2023 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi së bashku me kryetarin e degës Regjionale në Gjilan z. Fadil Sinanaj, priti në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj dhe Kryetarin e Komisionit për Administrim të Gjykatave z. Fahret Vellija.

Kryetari Ejupi, fillimisht falënderoj kryesuesin për vizitën e tij në OAK, derisa  ndër të tjera shprehu qëndrimin e tij se Oda e Avokatëve të Kosovës është e gatshme për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Këshillin gjyqësor të Kosovës, duke theksuar gatishmërinë për të kontribuuar në të gjitha çështjet me interes të përbashkët.

Kryesuesi Zogaj, tha se KGJK është në fazën e zbatimit të shumë aktiviteteve me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjyqësorit, duke përmendur edhe bashkëpunimin e domosdoshëm me Odën e Avokatëve të Kosovës, si një ndër mekanizmat kryesor të sistemit të drejtësisë.

Ndër temat kryesore të diskutuara në këtë takim ishin draft Udhëzimi për tarifat e avokatëve në rastet sipas detyrës zyrtare, Kodi i Procedurës Civile, Gjykata Administrative, efikasiteti i sistemit gjyqësor, digjitalizimi i komunikimeve dhe kryerjes së punëve të caktuara në raportet e gjykatës me palë dhe avokatë, si dhe çështje të tjera me rëndësi për të dyja institucionet.

U theksua se përmes bashkëpunimit të mirëfilltë në mes të OAK dhe KGJK, do të eliminohen pengesat eventuale dhe do të tejkalohen të gjitha barrierat që preokupojnë të dyja institucionet, me qëllim të avancimit të mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe së drejtës.