KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Ambasadorja e Turqisë rikonfirmon mbështetjen për OAK

06 November 2013

ekipi

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna priti në takim Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, znj. Singül Ozan më të cilën diskutuan rreth vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e sistemit të drejtësisë, posaçërisht rreth sistemit të avokatisë në mes dy vendeve.

Në takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy Odave të Avokatëve të të dyja shteteve dhe në këtë drejtim Ambasada e Turqisë në Kosovë, ka luajtur dhe është duke e luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në afrimin e këtyre dy institucioneve të rëndësishme të drejtësisë.

Kryetari Dobruna e njoftoj ambasadoren Ozan me punën që deri më tash është bërë në Odën e Avokatëve të Kosovës, duke theksuar se vizitat e delegacionit të OAK-së në Unionin e Avokatëve të Turqisë të përkrahura nga Ambasada e Turqisë në Kosovë, kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm në krijimin e një sistemi të brendshëm profesional. Në këtë prizëm, ai theksoi se sistemi i drejtësisë në Turqi është një shembull shumë i mirë për krijimin e praktikave edhe në Kosovë.

Z. Dobruna shprehi nevojën për përkrahje Odës së Avokatëve të Kosovës në disa fusha të cilat janë kruciale për funksionimin e mirë dhe profesional të OAK-së. Lidhur me këtë çështje, ai shtroi nevojën e një objekti për OAK-në e cila aktualisht vepron në një hapësirë jashtëzakonisht të vështirë e cila pamundëson realizimin e aktiviteteve të OAK-së. Nevojat tjera për fuqizimin e OAK-së sipas kryetarit janë edhe çështja e mbështetjes së Arsimimit të Vazhdueshëm Ligjor të Obliguar për avokatë, sistemit i disiplinimit për avokatë dhe mekanizmat tjera të nevojshme për OAK-në.

Në anën tjetër, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, znj. Singül Ozan shprehu falënderimin për pritjen e bërë duke theksuar se takimin me Odën e Avokatëve të Kosovës e ka pritur me kënaqësi pasi, sipas saj, Avokatët kanë një rol të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në çdo shtet. Andaj, ajo tha se bashkëpunimi me Odën e Avokatëve të Kosovës është një fakt që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë në shumë sfera.

Ajo vlerësoj të kënaqshme bashkëpunimin e deri tashëm në mes Odës së avokatëve të Kosovës dhe Unionit të Avokatëve të Turqisë dhe në këtë aspekt, Ozan ritheksoi mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Kosovë për thellimin e këtij bashkëpunimit edhe në sfera tjera të identifikuara.