KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Avokati Ibrahim Dobruna rizgjedhet kryetar i OAK

16 November 2013

ekipi

Prishtinë, 16.11.2013 – Në procesin e votimit në të cilin kanë marrë pjesë rreth 70 delegatë, Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Odës së Avokatëve të Kosovës, të shtunën, zgjodhi edhe për një mandat në krye të saj, avokatin z. Ibrahim Dobruna. Dobruna u zgjodh me aklamacion dhe pa kundër kandidat. Rizgjedhja e Dobrunës ka sjellë edhe një varg ndryshimesh në organizimin e avokatisë në Kosovë, pasi që OAK-u ka miratuar edhe statutin e ri dhe aktetet tjera normative.

Përveç rizgjedhjes së kryetarit është zgjedhur pa kundër kandidat për zëvendëskryetar të OAK-së, z. Hajrip Krasniqi. Gjatë punimeve të Kuvendit janë zgjedhur edhe anëtaret e komisioneve të OAK-së.

Kryetari i rizgjedhur i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna në fjalinë drejtuar avokatëve ka thënë se “Unë kam besim të fuqishëm në të ardhmen e ndritur të avokatëve, dhe para jush, duke u gjetur në këtë mjedis me të cilin i ndajmë të njëjtat ideale, dua që sërish të rikujtoj përkushtimin maksimal të Odës së Avokatëve të Kosovës, dhe në angazhimin e zgjidhjeve të sfidave që nuk janë të pakta, në të njëjtën kohë t’ju inkurajoj në përkrahjen tuaj konstante në po këtë drejtim”.

Sipas tij, Ligji i ri për Avokatinë, neutralizohen shqetësimet, problematikat dhe sfidat që i hasin avokatët, si dhe krijohen lehtësira në ushtrimin e profesionit të avokatit. Por, determinohet domosdoshmëria e profesionalizmit, vetëm e vetëm për të ofruar shërbime sa më cilësore në mbështetje të të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim. Për më tepër lexo fjalimin e kryetarit, z. Ibrahim Dobruna.

Ndërsa, edhe zëvendëskryetari i sapo zgjedhur i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Hajrip Krasniqi në fjalimin e tij tha se në të ardhmen bashkë me kryetarin e Odës, z. Ibrahim Dobruna, me stafin dhe me ju avokatë, do të angazhohemi në avancimin e sundimit të ligjit, duke i mbështetur gjithmonë proceset e reformave ligjore dhe iniciativat dhe proceset e filluara nga Oda.

“Në vazhdimësi do të angazhohem për qasje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit, duke i njoftuar të përfaqësuarit me procedurat ligjore dhe rolin e profesionit ligjor dhe njëherit promovimin e të drejtave dhe standardeve të garantuara, për të gjithë personat pa marrë parasysh dallimet, kushtet ekonomike dhe sociale. Këto përpjekje do të përfshijnë veçanërisht fëmijët, gratë dhe personat me nevoja të ndryshme, e që e gjithë kjo do të ndikon në përforcimin e administrimit të drejtësisë në rritjen e njohjes publike dhe respektit që duhet të ekzistoj për ligjin”, ka thënë zëvendëskryetari, z. Hajrip Krasniqi. Për më tepër lexo fjalimin e zëvendëskryetarit, z. Hajrip Krasniqi.

Sipas Ligjit për Avokatinë Nr. 04/L-193 të Nenit 42, Kuvendin e Odës e përbëjnë përfaqësuesit e Degëve Regjionale, mbi parimin e sistemit të delegimit, të cilët janë zgjedhur në proporcion me numrin e anëtarëve të Degëve Regjionale. Kuvendin e Odës e përbëjnë 85 delegatë.

Gjatë punimeve të Kuvendit janë shqyrtuar këto pika të rendit të ditës: Raportimi për aktivitetet e OAK-së; Shqyrtimi i Draft Statutit të OAK-së; Shqyrtimi i Draft Rregullores për Procedurën Disiplinore të OAK-së; Shqyrtimi i plotësim ndryshimeve të Rregullores AVLO; Shqyrtimi i Propozim Buxhetit te OAK për vitin 2014; Zgjedhja e Kryetarit të OAK-së; Zgjedhja e Zëvendës Kryetarit të OAK-së; Zgjedhja/Plotësimi e anëtarëve të organeve disiplinore të OAK-së.