KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

OAK dhe CLARD nënshkruan memorandum mirëkuptimi

28 February 2014

ekipi

Prishtinë – Oda e Avokatëve të Kosovës dhe Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi me qëllim të ngritjes së standardeve të sjelljes etike të avokatëve për kryerjen e hetimeve disiplinore dhe seancave administrative si dhe nxjerrjen e vendimeve disiplinore.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, z. Nedžad Radončič vlerësuan lartë krijimin e bashkëpunimi, pasi siç thanë kjo do të ndihmojë në edukimin e qytetarëve në raport me avokatët.

Palët nënshkruese janë pajtuar që raportimi i kërkesës së bazuar në hetime rreth sjelljes jo etike ose joprofesionale të anëtarëve të OAK duhet të rishikohet dhe të hetohet nga OAK në mënyrë që të reduktohen rastet e sjelljes së pahijshme të avokatëve, të adresohet dhe të parandalohet dëmi ndaj klientëve dhe publikut, dhe të ruhet reputacioni i profesionit ligjor.

Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional është profesionalisht dhe gjeografikisht mirë e pozicionuar për t’i ofruar publikut mbështetje profesionale në kompletimin dhe paraqitjen e kërkesës për Hetim të OAK.

Palët e dakorduara janë të bindur se me një udhëzim aktiv dhe mbështetje të Komisionit Disiplinor të OAK dhe QNJZHR, posedojnë përvojën e duhur profesionale dhe shkathtësitë e nevojshme për zbatimin e përgjegjësive që dalin nga ky Memorandum Mirëkuptimi.