03 March 2014
Prizren – Komiteti për Çështje Gjinore dhe Pakica i Odës së Avokatëve të Kosovës në kuadër të planit të punës për vitin 2014, që ka të bëjë me fuqizimin dhe mbrojtjen e femrave dhe pakicave në drejtësi, ka zhvilluar takimin e parë me juristet femra në regjionin e Prizrenit.
Në këtë takim kanë marrë pjesë zëvendëskryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore dhe Pakica, avokatja znj. Myrvete Qollaku, avokatja nga Prishtina, znj. Lule Bilalli-Ymeri, avokatja nga Malisheva, znj. Bahrie Xhyliqi si dhe 12 juristet femra nga regjioni i Prizrenit. Gjatë takimit zëvendëskryetarja, znj. Qollaku ka folur për rolin e një avokate femër në sistemin e drejtësisë në Kosovë, në theks të veçantë në ushtrimin e profesionit të avokatisë në Kosovë. Ajo ndau eksperiencën e saj si avokate duke treguar për sfidat dhe vështirësitë që ka hasur gjatë karrierës si avokate. Ndërsa, në anën tjetër, avokatja nga Prishtina, znj. Lule Bilalli-Ymeri dhe avokatja znj. Bahrie Xhyliqi kanë folur rreth motivit për të zgjedhur avokatinë si profesion të tyre.
Juristet nga regjioni i Prizrenit gjatë tryezës kanë shfaqur opinionet e tyre rreth sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe rolit të një femre në këtë segment. Ato janë shprehur ta kënaqur me organizimin e tryezës nga OAK, pasi sipas tyre është një mundësi e mirë për tu informuar rreth profesionit të avokatisë. Në kuadër të kësaj, ato shfaqen ambiciet e tyre për të ardhmen në fushën e drejtësisë, përkatësisht gjyqësi, prokurori dhe avokati. Sipas tyre, avokatia është një profesion sfidues për femrën kosovare, por edhe në të njëjtën kohë i përshtatshëm për të treguar vlerat profesionale.
Komiteti për Çështje Gjinore dhe Pakica i Odës së Avokatëve të Kosovës në kuadër të planit të punës për vitin 2014, do i mbaj edhe takime në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Prizren dhe Graçanicë.