10 October 2014
Mitrovicë - Lëndët e mbetura në veri të Mitrovicës dhe raportet e gjykatave me mediet u diskutuan në tryezën që Oda e Avokatëve të Kosovës organizoi në “qytetin e minatorëve”.
Implementimi i ngadalshëm i Marrëveshjes së Brukselit, po e pamundëson punën e efektshme të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, u tha në tryezë.
Kada Bunjaku-Përquku, kryetarja e kësaj gjykate u ankua për mungesë gjyqtarësh, ndërsa tregoi se që tre muaj ka bërë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për gjyqtarë të rinj.
“Unë kam bërë kërkesa që të plotësohet numri i gjyqtarëve dhe që në të mos presim deri në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit, që po pritet që të plotësohet kjo gjykatë me gjyqtarë nga komuniteti joshqiptarë”, tha Bunjaku-Përquku.
Flamur Ramadani, zyrtari për komunikim në Odën e Avokatëve të Kosovës, tryezën e vlerësoi të frytshme.
“Takimi i sotëm ishte mjaft i frytshëm. Kishte të bënte me lëndët e mbetura në veri të Mitrovicës dhe tema tjetër kishte të bënte me raportin në mes medieve, gjykatës dhe palëve tjera në procedurë” theksoi Ramadani.
Avokati Safet Voca theksoi se mosfunksionimi i gjykatës po ua vështirëson punën atij dhe avokatëve tjerë.
“Siç dihet së që nga 20 shkurti i vitit 2008, organet e gjykatores në regjionin e Mitrovicës nuk funksionojnë normalisht dhe se qytetarët nuk munden me i realizu të drejtat e tyre të garantuara më ligj”, u ankua Voca.
Në pamundësi të shfrytëzimit të objektit në veri, Gjykata Themelore e Mitrovicës punën e saj e kryen në Vushtrri.
Në tryezë mes diskutuesve tjerë ishte e pranishme edhe Furtuna Sheremeti nga Zyra Ligjore e BIRN-it.
Ajo tha se monitorimi dhe publikimi i shkrimeve prej seancave gjyqësore nga BIRN-i po i ndihmon përmirësimit të sistemit kosovar të drejtësisë.
Oda e Avokatëve të Kosovës këto tryeza i ka bërë tashmë tradicionale. Pjesëmarrës të tyre përveç avokatëve janë zyrtarë të gjykatave, prokurorive e policisë.
NGA
BEHAR MUSTAFA - BIRN