KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

JACOBSON: ËSHTË ARRITUR SHUMË, POR KA SHUMË PËR TU BËRË

18 November 2014

ekipi

Prishtinë - Ndërtimi i sundimit të ligjit dhe një sistemi të efektshëm, në të cilin qytetarët kanë besim, është shumë i rëndësishëm, për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për integrimin në Evropë.

Kështu pohoi ambasadorja e ShBA-ve, Tracey Ann Jacobson, në tryezën nga Kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët” me temën “Drejtësi e Qasshme”.

Ambasadorja Jocobson po ashtu pohoi se që njerëzit të kenë besim në drejtësi, ata duhet të kuptojnë se cilat janë proceset disiplinore që ekzistojnë dhe cilat do të jenë rezultatet e atyre proceseve disiplinore.

E gjithë kjo sipas saj, ka rëndësi jo vetëm për kredibilitetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës por edhe në botë.

“E kuptoj se është arritur shumë përparim gjatë viteve të fundit dhe e kam kuptuar se inspektorati policor i Kosovës, tani më ua mundëson qytetarëve, që të paraqesin ankesa në gjashtë mënyra. Por po ashtu e kam kuptuar se zyra e prokurorit disiplinor, ka ndryshuar mekanizmat për raportimin e ankesave dhe këto janë me lehtë të përdorshme për qytetarët, nëse kanë ndonjë shqetësim ndaj ndonjë gjykatësi apo prokurori. Dhe po ashtu edhe Oda e Avokatëve, tani më ua lejon individëve, të parashtrojë kërkesat për proceset disiplinore të avokatëve dhe mbrojtësve të tyre. Mendoj se këto janë hapa shumë të rëndësishëm sa i përket transparencës. Megjithatë mendojë se ende mbetet shumë punë për tu bërë. Është diçka tjetër mundësia për të parashtruar ankesë, por është diçka tjetër të kuptuarit e procesit, se ku do të shkoj ajo ankesë dhe ende nuk kemi arritur deri në atë pikë dhe shpresoj që të gjithë sot, do të flisni për atë çështje. Është po ashtu me rëndësi, që të gjitha ato organe të cilat kanë përgjegjësi, për të dhënë llogari, do të punojnë pa presion, do t’i marrin detyrat me përgjegjësi dhe me efikasitet të paanshëm”, ka pohuar Jacobson.

E kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se Gjyqësori i Kosovës, duhet të perceptohet si i drejtë, i paanshëm dhe i pavarur dhe si institucion publik, duhet të jap dhe llogari për veprimet dhe mendimet e veta.

“Jo rastësisht që në pesë shtyllat strategjike dhe në shtyllën e parë për planin strategjik t gjyqësorit të Kosovës 2014-2019, e kemi paraparë krijimin e besimit dhe mbështetjes, ngase konsiderojmë se janë esenciale, për ruajtjen e një shoqërie demokratike dhe pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë drejtim, gjyqësori i Kosovës, duhet të perceptohet si i drejtë, i paanshëm dhe i pavarur. Por si institucion publik, duhet të jap dhe llogari për veprimet dhe mendimet e veta. Në përgjithësi në legjislacionin tonë dhe është parim i përgjithshëm, që gjykimet duhet të jenë publike..Konsideroj që gjyqësori synon të fitoj besimin e publikut, duke rritur vetëdijesimin e publikut, për rolin që luan si gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe transparent, duke siguruar drejtësi dhe qasje të barabartë dhe të lehtë në shërbimet e gjykatave, për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është bërë, jemi në rrugë të mirë. Mirëpo ashtu siç tha dhe ambasadorja kemi dhe shumë për të bërë”, ka pohuar Peci..

Peci më tej theksoi se qytetarët tani kanë rrugë të ankimimit dhe drejtimit të ankesave të tyre, në zyrën e prokurorit disiplinor, mirëpo ka shumë për tu bërë, sa i përket krijimit të mekanizmave dhe forcimit të kësaj zyre, por dhe të mekanizmave të komisionit disiplinor, që veprojnë në kuadër të Këshillit gjyqësor.

Ai po ashtu tha se janë në rrugë të mbarë që këtë qasje të publikut në procedurat disiplinore ta adresojnë dhe ta fusin në dispozitat ligjore, meqenëse ka nevojë që Ligji për këshillin gjyqësor, në të ardhmen që i përket procedurës disiplinore të amandamentohet dhe të merren praktikat me të mira evropiane.

Ndërsa pohoi se Gjyqësori në Kosovë, ka kaluar në reforma të thella, në kuptimin legjislativ dhe organizativ.

Ai po ashtu foli dhe për numrin e rasteve të grumbulluara nëpër gjykata, për të cilat tha se tashmë ato janë adresuar.

Sipas tij këto kanë qenë ankesat më të mëdha të qytetarëve, që janë paraqitur dhe në zyrën e prokurorit disiplinor dhe me të drejtë palët, kanë kërkuar që gjyqësori të jetë efikas, ngase është kërkesë ligjore dhe kushtetuese. RTK