KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Oda e Avokatëve mbajti mbledhjen e rregullt të Kuvendit Vjetor

20 December 2014

ekipi

Prishtinë – Oda e Avokatëve të Kosovës në bazë të nenit 42 par. 3 dhe 4 të Ligjit mbi Avokatinë (Nr. 04/L-193), mbajti mbledhjen e Rregullt të Kuvendit Vjetor. Në këtë Kuvend morën pjesë 56 delegatë, nga 85 sa janë gjithsejtë.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Ibrahim Dobruna para delegatëve prezantojë raportin e aktiviteteve të OAK-së në përgjithësi gjatë periudhës janar – dhjetor 2014.

“Oda e Avokatëve të Kosovës si organizatë e pavarur e avokatëve në Republikën e Kosovës është përcaktuar në mënyrë të veçantë për respektimin dhe realizimin e kërkesave të ligjvënësit në sistemin juridik të Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në këto kërkesa, Oda e Avokatëve të Kosovës është duke punuar vazhdimisht në arritjen e rezultateve konkrete, që i referohen shërbimit për avokatë e praktikantë të avokatisë, profesionit ligjor dhe komunitetit’, tha kryetari Dobruna.

Sipas tij, Oda e Avokatëve të Kosovës ka shtrirë bashkëpunimin me institucione tjera për rritjen e efikasitetit dhe bashkërendimit të politikave të përbashkëta për ofrim të shërbimeve sa më të mira për qytetarë.

Dobruna në fjalën e tij paraqiti një mori aktivitetesh të tjera të cilat janë zhvilluar duke përfshirë edhe të arriturat, sfidat që e kanë përcjell Odën për gjatë këtij viti. Mbi këto rezultate të prekshme, sipas Dobrunës, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe organet e saj kanë vazhduar zbatimin e politikave të ndërtuara nga ky Kuvend.

Në Kuvendin e Odës së Avokatëve të Kosovës është diskutuar dhe janë aprovuar edhe këto dokumente; Raporti i Auditimit financiar për vitin 2013, Buxheti i OAK për vitin 2015, Ndryshimet e Tarifës së OAK-së, Rregullorja për Punën e Kuvendit të OAK-së, Aneks Statuti i OAK-së dhe zgjedhja/plotësimi i Komisionit Disiplinor.

Një theks i veçantë iu kushtua çështjes së sistemit të Noterisë në Republikën e Kosovës e cila u kritikua ashpër nga avokatët e pranishëm, pasi sipas tyre, Noteria e ka keqkuptuar misionin e saj duke interferuar në punën e avokatëve. Ata kërkuan se kjo çështje të zgjidhet në mënyrë institucionale.

Lidhur me këtë, kryetari i Odës së Avokatëve, Ibrahim Dobruna tha se në vazhdimësi ka ankesa nga ana e avokatëve për ndërhyrjen e noterëve në punën e tyre. Dobruna më tutje shtoi se problemi qëndron në interpretimin e gabuar të Ligjit mbi noterinë, ku përcaktohet se noterët mund të përpilojnë dokumente, porse nuk është patjetër që vetëm noterët mund të bëjnë këtë punë.

“Ata tani nuk e pranojnë përpilimin e kontratave apo të parashtresave të tjera nga ana e avokatëve, dhe nuk i vërtetojnë duke u thirrur se ajo është e drejtë ekskluzive e tyre. Ata janë duke e bërë një interpretim të gabuar të ligjit, por njëkohësisht ka interferim në Ligjin mbi avokatinë, i cili e përcakton qartë se avokatët e kanë autorizimin që të nënshkruajnë, përpilojnë të gjitha parashtresat, e roli i noterisë do të jetë vetëm që të vërtetojë”, tha Dobruna.

Me kërkesë të delegatëve të Kuvendit, u autorizua Këshilli Drejtues i OAK-së për themelimin e një Komisioni i cili do t’i paraqet propozimet konkrete për tejkalimin e kësaj situate.

SHKARKONI FJALEN E KRYETARIT