KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

OAK shprehet e shqetësuar lidhur me grevën në sektorin e gjyqësisë

09 March 2015

ekipi

Oda e Avokatëve të Kosovës është duke përcjellë me shqetësim grevën e filluar me dt. 03 mars 2015, nga punonjësit e sektorit të Gjyqësisë të Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës, si rezultat i kërkesave lidhur me përmirësimin e kushteve të punës përfshirë edhe rritjen e pagave.

Duke pasur parasysh, se greva është mjet ligjor dhe e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet tjera sistemore në Republikën e Kosovës, i bënë më përgjegjës bartësit e funksioneve të cilët janë të thirrur për zgjidhjen e kësaj bllokade.

OAK duke parë bllokimin total të të gjithë sistemit, kërkon nga organet vendimmarrëse që të gjejnë një zgjidhje urgjente dhe ligjore, për tejkalim të kësaj situate mjaft delikate e cila është duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek të drejtat e qytetarëve në Republikën e Kosovës.

Pavarësia është fundamentale për realizimin e funksionit që ka Gjyqësori. Një pavarësi substanciale është e lidhur edhe me pozitën materiale të bartësve të funksionit të gjyqësorit dhe administratës.

Greva çdo ditë është duke krijuar presion edhe tek avokatet. Në këtë drejtim po preken dhe shkelën principet fundamentale të profesionit ligjor dhe mbrojtjes efikase para organeve të drejtësisë, andaj OAK vlerëson se kjo gjendje, e neglizhimit të kërkesave dhe mos gjetjes së zgjidhjeve adekuate brenda një afati të arsyeshëm, është e pajustifikueshme dhe e pa pranueshme, në situatën në të cilën gjendet Republika e Kosovës.

Për çfarë, duke marrë parasysh pasojat e grevës, OAK kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që në takim me Këshilli Gjyqësor, Kryetarët, gjyqtarët e Gjykatave Themelore dhe pjesëmarrësit tjerë në grevë në gjithë Republikën e Kosovës, që sa më parë të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Prishtinë, me 09 mars 2015

Për Odën e Avokatëve të Kosovës,

Av. Ibrahim Z. Dobruna, Kryetar