21 May 2015
Prishtinë - Komiteti për Çështje Gjinore në bashkëpunim me OSBE-në, në kuadër të Programit të Mentorimit të QTA, realizuan takimin joformal, qëllim i të cilit ishte diskutimi rreth zhvillimit të këtij programi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve mes mentorueseve dhe studenteve të përzgjedhura të Fakultetit Juridik. Të pranishëm në takim ishin kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore, znj. Merita Stublla-Emini, koordinatorja e QTA Albulena Ukimeraj, grupi i mentorueseve i përbërë nga avokatet Fehmije Gashi-Bytyqi, Blerina Kurtaj, Xhylizare Selimi-Dushi dhe Flutura Hoxha-Latifi si dhe studentet femra të përzgjedhura për të vijuar programin nën mentorimin e avokateve të lartëpërmendura. Znj. Stublla-Emini potencoi rëndësinë e këtij programi për përkrahjen që i ofron studenteve femra në veçanti, në drejtim të aftësimit dhe avancimit e të tyre në fushën drejtësisë si dhe të përgatitjes së tyre për profesion në të ardhmen.
Po ashtu, një falenderim i veçantë iu dha OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë në zhvillimin e Programit të Mentorimit, duke theksuar se Republika e Kosovës është ndër vendet e para në rajonin e Evropës Juglindore në të cilën është instaluar një program i tillë.
Studentet e përzgjedhura për mentorim u treguan të kënaqura me bashkëpunimin me avokatet femra si dhe mundësinë që i është dhënë për t’iu qasur praktikave reale të drejtësisë respektivisht pjesëmarrjen e tyre në seanca gjyqësore si një përvojë e domosdoshme për hyrjen e tyre në karrierën ligjore dhe ushtrimin efikas të detyrave në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore i kushtoi vëmendje mënyrave të nxitjes së studenteve femra që t’i qasen profesionit të avokatisë, kjo kryesisht për shkak të numrit shumë të vogël të femrave në këtë profesion, e cila mund të realizohet me promovimin e Programit për Mentorim përmes formave të ndryshme të emetimit në emisione televizive.
Pas propozimeve të dhëna dhe bisedave me avokatet mentore dhe studenteve të mentoruara, u nënshkruan marrëveshjet për mentorim mes këtyre dy palëve.
Me miratimin e të gjitha pjesëmarrëseve, takimi i rradhës së këtij programi, u caktua me datë 16 qershor 2015.