26 June 2015
Oda e Avokatëve të Kosovës nëpërmjet organizimit të sesioneve trajnuese, është duke arritur ngritjen e aftësive profesionale të kandidatëve për provim të Jurisprudencës. Trajnimet janë duke ofruar qasje cilësore dhe po shërbejnë si një rrjet i rëndësishëm për mobilizimin e juristëve që janë në proces për t’u bërë kandidatë potencial për dhënien e provimit të Jurisprudencës.
Përveç kësaj, bazuar në lëmit e provimit të Jurisprudencës është dizajnuar edhe programi, duke u mbështetur dhe thelluar njohuritë në fushën e jurisprudencës dhe ngritja e aftësive të tyre në ato fusha të kërkuara.
Oda e Avokatëve të Kosovës këtë projekt e ka filluar që nga viti 2014 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2015. Projekti në fjalë është tregues i suksesit dhe i mbështetjes nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhënë sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Trajnimi për kandidatët për provim të Jurisprudencës vetëm gjatë vitit 2014 ka pasur një përfshirje prej 175 kandidatëve dhe janë realizuar në 5 grupe gjatë periudhës 8 javore sa ka zgjatur një grup i trajnimit. Ritmi i trajnimeve dhe kërkesave është rritur edhe gjatë vitit 2015, kështu që vetëm gjatë periudhës janar – maj 2015 janë mbajtur 3 grupe të trajnimeve dhe më pjesëmarrje të 120 kandidateve.
Pjesëmarrësit në trajnime janë duke përgatitur në fusha dhe lëmi të ndryshme të jurisprudencës, ku angazhimi i tyre bazohet në një mjedis të shëndoshë, ku secili trajtohet në mënyrë të drejtë, angazhime ekipore dhe komunikim të hapur.
Në të njëjtën mënyrë, Oda e Avokatëve të Kosovës pranon detyrimin për të mundësuar që kandidatet në këtë trajnim të fitojnë aftësitë dhe njohuritë për të cilat kanë nevojë në mënyrë që të përmbushen pritshmërit. Kështu, duke filluar që nga momenti kur ata i bashkohen OAK-së, përkrahen duke ofruar materialet e nevojshme të trajnimit për të ndihmuar zhvillimin e tyre profesional gjatë kohës së trajnimit.
Trajnimi përbëhet nga programet themelore dhe të avancuara duke përfshirë ligjërues, ekspert dhe profesionist të fushave, për të cilat ata janë përgjegjës në ushtrimin e profesioneve juridike, si dhe anëtarë të Komisionit të Provimit të Jurisprudencës.
Ne kemi krijuar kushte ku pjesëmarrësit në trajnim mund të shfrytëzojnë më së miri potencialin e ligjëruesve dhe të arrijnë rezultate të mira.
Pjesëmarrësit do të përfitojnë edukim cilësorë dhe njohuri përkatëse për të kaluar provimin e jurisprudencës nga ligjërues dhe ekspert të njohur nga fushat specifike, konkretisht nga: E drejta evropiane, E drejta Penale, E drejta familjare dhe trashëgimore, E drejta Penale, E drejta e Procedurës Penale, E drejta e Procedurës Civile, E drejta Tregtare, E drejta e Procedurës Penale, E drejta Kushtetuese, Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Procedura Administrative, E drejta e punës si dhe nga e drejta Civile.
Për të dëshmuar prezencën dhe pjesëmarrjen në trajnimin 8 javor, Oda e Avokatëve të Kosovës në përfundim të trajnimit pajis me certifikatë secilin kandidat.
Trajnimet fillojnë në orën 10:00 deri 17:00, dhe mbahen çdo të shtunë dhe të diele në zyrat e reja të OAK-së dhe zgjasin 8 (tetë) javë.
Për të qenë pjesë e trajnimit për provim të jurisprudencës të organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Ju mund të dërgoni kërkesën përmes e-mail: info@oak-ks.org ose Tel: 038/244-586. Në kërkesë shkruani kontaktet e juaja (Emrin/mbiemrin, numrin e telefonit, e-mail adresën), pastaj stafi i OAK-së do ju informon me detajet tjera shtesë.