KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Oda e Avokatëve të Minesotes së SHBA-së e gatshme të mbështet OAK-në

16 July 2015

ekipi

Prishtinë, 13-16.07.2015 - Një grup i ekspertëve nga Oda e Avokatëve të Minesotes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë vizituar Odën e Avokatëve të Kosovës, ku janë takuar me përfaqësues të OAK-së, konkretisht përfaqësues të organeve dhe anëtar të tjerë pranë OAK-së.

Grupi nga Minesota në përbërje të 5 ekspertëve janë njoftuar për së afërmi lidhur me specializimin e avokateve, përvojat dhe sfidat të cilat janë paraqitur gjatë implementimit në tërësi të specializimit të avokatëve i cili është paraparë me Ligjin për avokatinë, dhe është kërkuar përkrahje në ngritjen e kapaciteteve të OAK në sferën e lobimit, gjetjen e formave të përkrahjes së Komitetit për çështje gjinore dhe femrave në profesionin e avokatisë si dhe identifikimin e formave të përkrahjes së OAK përball themelimit të Gjykatës Speciale.

Kryetaret e Degëve Regjionale të Pejës dhe Gjilanit, Arianit Nikqi dhe Shemsedin Piraj gjatë takimit informuan ekspertet nga Minesota për procesin e specializimit në OAK dhe nevoja për përkrahje në procesin e specializimeve në lëmit tjera të avokatëve në Republikën e Kosovës.

Në vazhdën e takimeve me ekspertët nga Minesotes të SHBA-së, u mbajt edhe takimi me përfaqësuesin e Shoqërisë së avokatëve “Ramajli & Partners”, Ilaz Ramjali. Ekspertet u informuan nga z. Ramajli lidhur me themelimin Shoqërisë së Avokatëve dhe mënyrën e organizimit dhe vërshtërsit e hasur si shoqëri e parë e avokatisë në Kosovë.

Edhe sfera e problemeve me Noterinë ishte çështje e diskutimit në mes grupit për Noterinë të OAK-së, me pjesëmarrje të avokatit, Avni Gjakova dhe avokatit Ekrem Ismajli. Z. Gjakova dhe z. Smajli shfaqen problemet e avokatisë me Noterinë, posaçërisht në ndërhyrjen e kompetencave e Noterisë në ato të avokatisë. Të dy avokatet e OAK-së theksuan nevojën për ndryshimin e Ligjit për Noterinë, pasi sipas tyre, ky ligj ka frustruar shumë avokat të cilët e konsiderojnë interferim në profesionin dhe fushë veprimtarin e tyre.

Në kuadër të takimeve, u mbajt edhe me Qendrën e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), konkretisht me Drejtorin Ekzekutiv, Kushtrim Kalushi. Drejtuesi i ATRC-së dhe ekspertet nga Minesota diskutuan rreth rolit të ATRC në Kosovë duke vënë theksin në trajnimin dhe asistimin ndaj organizatave jo qeveritare (OJQ) në Kosovë për të profesionalizuar më tej punën e tyre, për të artikuluar kërkesat e tyre dhe për të nxitur strukturat qeveritare për ndryshime. Sipas Kaloshit ATRC-ja ndihmon OJQ-të kosovare për t’u angazhuar në avokim të suksesshëm duke siguruar rregullisht informacione për mundësi për përpjekje avokimi si legjislacioni i ardhshëm, dekretet qeveritare, programet e KB-së etj.

Po në të njëjtën ditë, u zhvillua takimi edhe me përfaqësuesin e Shoqërisë së avokatëve “Pallaska & Associate”, z. Dastid Pallaska. Z. Pallaska falënderoi ekspertet nga Minesota dhe theksoi të nevojës bashkëpunimin e ndërsjellë mes dy Odave të avokatëve. Ai informoj lidhur me veprimtarinë e Shoqërisë së avokatëve duke thënë se firma mbetet e pavarur dhe përfitimin e saj e ka nga marrëdhëniet, partneritetet të cilat i ka ndërtuar me disa firma ligjore me renome botërore që veprojnë në regjion, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjetja e formave të përkrahjes së Komitetit për Çështje Gjinore dhe femrave në profesionin e avokatisë ishte temë e diskutimit në mes kryetares së Komitetit për Çështje Gjinore të OAK-së, znj. Merita Stublla Emini dhe ekspertet nga Minesota. Ekspertet u interesuan për përfaqësimin gjinor në OAK në krahasim me profesionet tjera në gjyqësi dhe prokurori. Znj. Stublla Emini bëri të ditur se përfaqësimi gjinor në Kosovë për dallim në vendet tjera është shumë i ulët, sipas saj, janë shumë faktor që ndikojnë në hezitimin e kësaj kategorie për tu kyçur në profesionin e avokatisë. Ajo u shpreh optimiste me iniciativa dhe programe të ndryshme të ndërmarra për të ndikuar tek te rinjtë të cilët janë në një udhëkryq për zgjedhjen e profesionit të tyre jetësor. Stublla Emini shtoi se Komiteti për Çështje Gjinore i OAK-së është duke zhvilluar aktivitete të vazhdueshme për përfshirjen e femrave në profesionin e avokatisë, siç përmendi programin e Mentorimit, takime të përmuajshme me studentë dhe praktikante etj.

Gjetja e formave të përkrahjes së Odës së Avokatëve të Kosovës përball themelimit te Gjykatës Speciale, ishte temë tjetër e diskutimit në mes avokatit, Ramë Gashit dhe ekspertëve amerikan. Përfaqësuesi i OAK-së i angazhuar për takim me ekspertet, z. Gashi paraqiti një rezyme rreth zhvillimeve në Kosovë për sa i përket Gjykatës Speciale në aspektin juridikë dhe qasjes së Odës së Avokatëve të Kosovës, konkretisht të avokatëve që pritet të përfaqësojnë në këtë Gjykatë. Ai shprehu nevojën e përkrahjes së Odës së Avokatëve të Kosovës nga Oda e Minesotes së SHBA-së në aspektin ekspertëve dhe njohjes së fushës për krime lufte, themelimi i zyrës për mbështetje të avokatëve të angazhuar para Gjykatës Speciale, trajnime paraprake etj.

Ekspertet nga Oda e Avokatëve të Minesotes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qendruar në Kosovë 4 ditë (13-16 korrik 2015).