KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Raporti hulumtues “Të dëgjohet zëri ynë” inkurajon të rijnë dhe femrat për t'iu bashkuar profesionit ligjor

30 September 2015

ekipi

Prishtinë, 30.09.2015 – Në tryezën e organizuar nga Qendra Kombëtare për Gjykata Shtetërore (NCSC) u publikua raporti hulumtues “Të dëgjohet zëri ynë”, që kishte për fokus prezantimin e të gjeturave të hulumtimit dhe diskutimit rreth strategjive se si të inkurajohen të rijnë dhe femrat për t'iu bashkuar profesionit ligjor.

Tryeza kishte të përfshirë pjesëmarrës nga krerët e sistemit të drejtësisë dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Në fjalën hyrëse në tryezë prezantuan përfaqësuesi dhe njëherit kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, përfaqësuesi i Odës së Avokatëve të Kosovës dhe njëherit kryetar i Degës Regjionale të OAK-së në Pejë, Arianit Nikqi dhe Dekani i Fakulteti Juridik të UP-së, Haxhi Gashi.

Ata vlerësuan raportin duke theksuar se është një mundësi e mirë për institucionet e drejtësisë, veçmas për ato institucione që janë të përfshirë në raport për të analizuar situatën aktuale rreth trendëve në zhvillim sipas rekomandimeve të dhëna nga raporti në fjalë.

Në pjesën e dytë të tryezës u mbajt edhe panel diskutimi me temën: “Sfidat që hasin të rinjtë dhe femrat dhe strategjitë se si të inkurajohen të rijnë dhe femrat për me shumë pjesëmarrje në profesionin ligjor”, ku pjesë e këtij paneli ishin Biljana Rexhiq, Gjyqtare, Kryetare e Bordit të Forumit të Gjyqtareve dhe Prokuroreve të Kosovës, Merita Stublla-Emini, Avokate, Kryetare e Komitetit për Çështje Gjinore të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Hydajet Hyseni, drejtor i Njësisë për Shqyrtimin e Përformancës Gjyqësore në KGJK.

Panelistët shprehen falënderim për raportin duke thënë se institucionet duhet të fokusohen më tepër në përmirësimin e zhvillimit profesional për profesionistët ligjor, rritjen e mundësive praktike për të rinjtë e sapo diplomuar, dhe zhvillimin e roleve të udhëheqjes për femrat profesioniste. Më tutje ata shprehen të nevojës inkurajimin e të diplomuarve të rinj për të hyrë në fuqinë punëtore ligjore duke lehtësuar më shumë mundësitë e mësimit praktik përmes praktikës dhe duke promovuar fuqizimin e femrave të reja dhe studentëve të juridikut, avokatëve dhe gjyqtarëve përmes fushatave të vetëdijesimit dhe mediave sociale. Ndërsa, në aspektin gjinor u kërkua nga penalistët të bëhet promovimi i rolit të udhëheqjes së femrave profesioniste dhe mobilizimi i femrave të suksesshme në profesionin ligjor që të bëhen model i udhëheqjes për femrat e reja.

Në anën tjetër, menaxherja e Lartë e Programit të Qendrës Kombëtare për Gjykata Shtetërore (NCSC), Violaine Autheman në mënyrë specifike prezantoi të gjeturat e studimit të realizuar gjatë periudhës Prill – Qershor 2015, e cila është bazuar kryesisht nga një ekip i hulumtuesve në terren të cilët janë fokusuar me shpërndarjen e pyetësorit, diskutimet me grupe të fokusuara, intervistimin e informuesve kyç për të mbledhur informacione për kufizimet dhe mundësitë për hyrjen, avancimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve dhe femrave si juristë, gjyqtarë dhe profesionistë të tjerë të sektorit të drejtësisë.

Raporti me anë të Iniciativës Hulumtuese për Rinjtë dhe Femrat, NCSC ka mbledhur një total prej 156 përgjigjeve nga pyetësorët dhe ka kryer 15 intervista me informues kyç dhe gjashtë diskutime në fokus grupe. Në popullsinë e anketës janë përfshirë 100 studentë dhe 56 profesionistë të sektorit të drejtësisë, me 94 të anketuar femra dhe 58 meshkuj. Të anketuarit profesionistë përfshinin 19 avokatë, 14 gjyqtarë, dhe 12 prokurorë. Pjesa e mbetur prej 10 ishin profesionistë që punojnë në sektorin e drejtësisë si administratorë të gjykatave, bashkëpunëtorë dhe referentë ligjor, zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë, si dhe punëtorë të OJQ-ve.

Në fillim të vitit 2015, janë 573 avokatë të licencuar nga OAK dhe 358 gjyqtarë dhe 137 prokurorë të emëruar në sistemin e drejtësisë prej tri nivelesh (p.sh., gjykata/prokuroria themelore, gjykata/prokuroria e apelit dhe Gjykata Supreme dhe prokuroria e shtetit). Fuqia punëtore ligjore po plaket me shpejtësi në të gjitha profesionet, me 79% të avokatëve, 61% të prokurorëve, dhe 54% të gjyqtarëve mbi moshën 50 vjeç. Brenda OAK-së, mosha mesatare e anëtarësisë është 56.8 dhe gjysma e avokatëve të licencuar janë mbi moshën 60 vjeç. Vetëm 2% e anëtarëve të OAK-së nën moshën 30 vjeç. Rinia është e ngjashëm e nën përfaqësuar në profesionin gjyqësor dhe prokurorial me vetëm 9% të gjyqtarëve dhe të 4% të prokurorëve nën moshën 35 vjeçare.

Pavarësisht përmirësimeve në vitet e fundit si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta për tërheqjen e femrave drejt fuqisë punëtore ligjore, femrat mbeten të nën-përfaqësuara në të gjitha profesionet e sektorit të drejtësisë. Më pak se 13% e anëtarëve të sotëm të OAK-së janë femra, me shumicën që veprojnë në zonat urbane, veçanërisht në Prishtinë. Femrat përbëjnë 29% të gjyqtarëve dhe rreth 36% të prokurorëve.