KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Oda e Avokatëve të Kosovës dënon aktin kërcënues ndaj kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi

21 December 2015

ekipi

Oda e Avokatëve të Kosovës, si pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës:

1.

Dënon aktin e papranueshëm, kërcënues që i është bërë mbrëmë Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, dhe kërkon hetim të shpejtë e të pavarur në zbulimin e kryerësve të këtij akti, që paraqet kërcënim me të madh, që deri me tani i është bërë një drejtuesi të një Gjykate, në Republikën e Kosovës.

OAK, mbështet dhe inkurajon Kryetarin Ibrahimi, që të përballoj këtë situatë dhe të vazhdoj me këmbëngulje në sigurimin e organizimit dhe të funksionimit të kësaj Gjykate, siç ka bërë edhe deri me tani.

2.

OAK, rikonfirmon qëndrimin në mbështetje të pavarësisë së gjyqtarëve dhe Gjykatave në Kosovë dhe për të çfarëdo akti apo veprimi i cili cenon këtë pavarësi është i papranueshëm e si i këtillë edhe duhet të gjykohet dhe të dënohet.

3.

OAK, kërkon nga organet e zbatimit të ligjit që të ndërmarrin gjitha masat ligjore në mbrojtjen dhe në krijimin e sigurisë për zbatuesit e ligjit në Kosovë, duke përfshirë gjyqtarët, avokatët, prokurorët dhe familjet e tyre, në kryerjen e detyrave të tyre brenda autorizimeve ligjore. Kërcënimet, sulmet fizike dhe kërcënimet, siç ka ndodhur në qershor të këtij viti në Drenas, Tentativë vrasja e gjyqtarit të çështjes dhe rrezikimi i palëve dhe avokatëve në një proces gjyqësor, dhe rasti i fundit i sulmit ndaj kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë shenja alarmi për mungesë sigurie të zbatuesve të ligjit në Republikën e Kosovës.

4.

OAK dhe avokatet në Kosovë respektojnë pavarësinë e Gjykatave dhe të gjyqtarëve në Republikën e Kosovës, ashtu siç edhe është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. OAK fton që të gjithë gjyqtarët që vendimet e tyre t’i marrin në mënyrë të drejtë dhe të pavarur duke mos lejuar që në asnjë rast të veçantë që të jenë të ndikuar në çfarëdo mënyre nga kushdo qoftë, përfshirë ndikim politik, lidhjet shoqërore, familjare a grupore.

5.

OAK vë në pah se pavarësia e Gjyqësorit dhe sundimi i ligjit është një prej faktorëve me të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit dhe realizimin e synimeve të gjithë shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës në rrugën drejt integrimeve Euro - atlantike.

Prishtinë, me 21.12.2015

Kryetari OAK

Av. Ibrahim Z. DOBRUNA