30 January 2016
Prishtinë, 30.01.2016 – Është përmbyllur sot mbledhja e Rregullt e Kuvendit Zgjedhor e Odës së Avokatëve të Kosovës, e thirrur për zgjedhjen e kryetarit, zëvendëskryetarit si dhe organet tjera.
Në procesin e hapur të votimit, në të cilin kanë votuar rreth 77 delegatë, sa kanë qenë pjesëmarrës në këtë Kuvend, nga 85 delegatë sa i ka gjithsej Kuvendi i Odës së Avokatëve të Kosovës, me 74 pro dhe 3 kundër është zgjedhur pa kundër kandidat kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli.
Ndërsa, për pozitën e zëvendëskryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës në garë ishin dy kandidatë, Bahrie Besimi dhe Isamedin Dedinca. Në procesin e zgjedhjes me vota të fshehta, nga 75 delegatë sa ishin gjithsej të pranishëm, 40 vota ishin për avokatin, Isamedin Dedinca dhe 34 vota për avokaten, Bahrie Besimi dhe 1 abstenim. Në bazë të numërimit të votave, avokati Isamedin Dedinca, u zgjedh zëvendëskryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Kryetari i sapo zgjedhur i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli, në fjalën e tij përshëndetëse tha se është privilegj i madh dhe njëherit obligim për të cilin do të bëjë përpjekje maksimale që zërin e avokatëve të ngriti në nivele më të larta. Ndër të tjera, ai para delegatëve u shpreh se pa hezitim do të punoj në ngritjen profesionale të OAK-së dhe për këtë, z. Havolli kërkoj mbështetjen e avokatëve për të vazhduar rrugëtimin e përbashkët në mënyrë që Avokatët ta kenë vendin e tyre të merituar në sistemin e drejtësisë.
Gjatë zhvillimeve të punimeve të Kuvendit të Odës së Avokatëve të Kosovës, janë zgjedhur edhe organet tjera, duke përfshirë atë të anëtarit nga jashtë të Këshillit Drejtues, anëtaret e Komisionit Disiplinor dhe asaj të Ankesave si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës.
Kuvendi i Odës përbëhet nga përfaqësuesit e degëve regjionale, mbi parimin e sistemit të delegimit, të cilët zgjidhen në proporcion me numrin e anëtarëve të Degëve Regjionale. Kuvendin e Odës e përbëjnë tetëdhjetë e pesë (85) delegatë.