01 March 2016
Prishtinë, 01.03.2016 – Në vazhdën e takimeve të drejtuesve të Odës së Avokatëve të Kosovës, u mbajt takimi edhe me përfaqësuesit e OSBE-së në Kosovë, Ralph Bunche, Steven Fenner dhe Jasmin Gojani, të cilët u priten nga kryetari i OAK-së, Osman Havolli, zëvendëskryetari, Isamedin Dedinca si dhe Drejtorin Ekzekutiv, Yll Zekaj.
Gjatë këtij takimi u diskutuan shumë çështje ligjore ku rëndësi të veçantë i kushtuan tri fushave dhe atë të mentorimit si prioritet, çështjes së minoriteteve si dhe koordinimit të OAK-së me policinë, prokurorinë si dhe gjyqtarët, në lidhje me caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare ex-officio, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me veprat e rënda, pra të krijohet një listë e ngushtë e avokatëve të cilët kanë përvojë më të madhe. Me tutje, u diskutua mbështetja nga OSBE për mbajtjen e trajnimeve ose kurseve për avokatë fillestarë me qëllim të zhvillimit dhe ngritjes së profesionalizmit të tyre.
Kryetari i OAK-së, Osman Havolli i kushtoi rëndësi komunitetit romë, ashkali, dhe kërkoi që edhe ky komunitet i cili është lënë pas dore të përfshihet në sistemin e drejtësisë. Nder të tjera, kryetari Havolli theksoi mundësinë për juristët dhe praktikantët e Mitrovicës që kanë përfunduar Fakultetin Juridikë dhe Provimin e Jurisprudencës në Beograd, të ju mundësohet që të regjistrohen në Odën e Avokatëve të Kosovës.
Përfaqësuesit e OSBE-së shprehen gatishmërinë e tyre sa i përket njohjes së diplomave si dhe theksuan mundësinë e themelimit të një Komisioni dhe nxjerrjen një rregullore me anë të së cilës, do të bëhet njohja e diplomave të shtetit Serb në Kosovë, ku juristët e diplomuar mund të ju nënshtrohen provimit të jurisprudencës në Kosovë dhe të anëtarësohen në Odën e Avokatëve të Kosovës.
Përfaqësuesit e OSBE-së vlerësuan këtë takim dhe gjithashtu theksuan se do të vazhdojnë në ofrimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme.