28 April 2016
Reagim ndaj procesit të bastisjes të avokatëve nga ana misionit të EULEX-it në Kosovë dhe Policisë së Kosovës me datë 27.04.2016.
Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), reagon lidhur me procesin dhe mënyrën e bastisjes së zyrave të Avokatëve nga Misioni i EULEX-it në Kosovë dhe Policisë së Kosovës, të mërkurën me datë 27.04.2016 në Prishtinë, duke mos përfillur Ligjin për Avokatinë në Republikën e Kosovës.
OAK lidhur me këtë rast nuk është vënë në dijeni nga Misioni i EULEX-it në Kosovë dhe as nga Policia e Kosovës për veprimet e ndërmarra ndaj avokatëve të OAK-së.
OAK ia bën me dije Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe Policisë së Kosovës se veprimet e tyre janë me kundërshtim me Ligjin për Avokatinë, konkretisht konform nenit 33 të Ligjit për Avokatinë Nr.04/L-193, GZ-nr: 20/31 maj 2013 lidhur me bastisjen e zyrës së tyre ku thuhet se: “Avokati nuk mund të privohet nga liria për vepra penale lidhur me ushtrimin e shërbimet e tij në cilësinë e avokatit pa vendimin e gjykatës kompetente. Për privimin e avokatit nga liria njoftohet Oda. Zyra e avokatit mund të bastiset vetëm në bazë të vendimit të gjykatës kompetente edhe atë, lidhur me shkresa, dokumente apo lëndë të përcaktuara shprehimisht. Zyra e avokatit mund të bastiset vetëm në prezencën e avokatit dhe të përfaqësuesit të autorizuar të Odës të caktuar nga Kryetari i Odës. Sendet, shkresat ose dokumentet, përveç atyre nga paragrafi 3. i këtij neni, si dhe informatat që mund të mblidhen me rastin e bastisjes së zyrës së avokatit, nuk mund të shfrytëzohen për zhvillim të asnjë procedure kundër palëve të avokatit nga zyra e tij. Gjykatat ose organet tjera shtetërore duhet menjëherë ta informojnë Odën për fillimin e procedurës kundër avokatit apo për vendimin e mbajtjes apo paraburgimit të tij”.
Oda e Avokatëve të Kosovës rikujton detyrimet e institucioneve pjesëmarrëse në proceset e tilla penalo-juridike, sipas ligjit, janë në detyrim paraprakisht ta njoftojnë Odën e Avokatëve të Kosovës.