Kryetari Havolli mori pjesë në tryezën për publikimin e raportit të OSBE-së
01 June 2016
Prishtinë, 01.06.2016 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli ka marr pjesë nё publikimin e raportit tё titulluar “Rishikimi i Zbatimit tё Kodit tё Procedurës Penale”, qё u organizua nga Misioni i OSBE-sё nё Kosovë.
Tё pranishëm gjatë këtij publikimi ishin edhe Ambasadori i OSBE-sё nё Kosovë Jean-Claude Schlumberger, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, U.d e kryetares së Gjykatës së Apelit, Tonka Berisha, Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe përfaqësues tjerë tё Gjykatave dhe Prokurorisë.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli në fjalën e tij hyrëse përshëndeti raportin monitorues të OSBE, duke theksuar se rekomandimet e dala nga raporti do të ndikojnë në ngritjen e efikasitetit të organeve të drejtësisë për zbatimin në përpikmëri tё Kodit tё Procedurës Penale. Sipas tij, OSBE-ja me këtë raport ka identifikuar problematikat të hasura në praktik rreth Kodit të Procedurës, të cilat në fakt janë evidente dhe kruciale dhe mjaft të nevojshme për gjyqësorin, prokurorinë dhe avokatinë në Kosovë.
Raporti i OSBE-së, përveç gjyqësorit dhe prokurorisë, i ka kushtuar vëmendje edhe avokatisë, konkretisht avokatëve mbrojtës të cilët janë monitoruar nga OSBE.
Më poshtë janë pjesa e rekomandimeve të raportit për avokatet mbrojtës:
- Mbrojtja duhet të përgatitet efektivisht para se të fillojë gjykimi. Mbrojtja duhet të dijë para fillimit të gjykimit se nga çfarë do të përbëhet rasti i mbrojtjes. Ajo nuk duhet të presë deri në fillim të gjykimit për të mbledhur prova. Rasti i mbrojtjes duhet të parashtrohet, ndërsa dëshmitarët e mbrojtjes të ftohen nëse i pandehuri nuk e pranon fajësinë.
- Mbrojtja duhet të kërkojë me shkrim nga prokuroria që të mbledhë prova shfajësuese, duke përfshirë ekspertizat. Aktvendimet nga prokuroria që refuzojnë kërkesat e tilla duhen mbështetur me arsyetim. Mbrojtja mund t’i apelojë ato aktvendime tek gjyqtari i procedurës paraprake.
- Mbrojtja duhet të marrë parasysh kundërshtimin e përzgjedhjes së ekspertit nga prokuroria, në bazë të kualifikimeve të tij apo saj, apo edhe konfliktit të mundshëm të interesit, duke parashtruar kundërshtimin tek gjyqtari i procedurës paraprake.
- Gjatë shqyrtimit të dytë, mbrojtja duhet t’i dorëzojë prokurorit njoftimin me emrat e dëshmitarëve që synon t’i thërrasë në gjykim.
- Mbrojtja duhet të ofrojë arsyetim të mirëfilltë në kërkesat e saj në fazën e aktakuzës.
- Mbrojtja duhet të përgatitet mirë për marrje në pyetje të tërthortë të dëshmitarëve të prokurorisë.
- Mbrojtja duhet të sigurojë që procesverbali i shkruar të reflektojë saktësisht atë që është thënë nga palët dhe dëshmitarët në çfarëdo dëgjimi. Mbrojtja duhet që të lexojë me kujdes çdo procesverbal para se ta nënshkruajë.