KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Kryetari Havolli pranon mbështetje nga Ministrja Hoxha

01 August 2016

ekipi

Prishtinë, 01.08.2016 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli, Drejtori Ekzekutiv, z. Yll Zekaj dhe Zyrtari për Komunikim, z. Flamur Ramadani janë pritur në takim nga Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, znj. Dhurata Hoxha me të cilën kanë diskutuar lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellët për një sistem efikas të drejtësisë në Kosovë.

Kryetari Havolli uroi Ministren Hoxha për emërimin e saj në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe njëherit shprehu gatishmërinë e Odës së Avokatëve të Kosovës për bashkëpunim të mëtutjeshëm në të gjitha fushat relevante.

Në takim, ministrja Hoxha falënderoi kryetarin e Odës së Avokatëve për angazhimin dhe punën e deritanishme në funksionimin e këtij institucioni, njëherësh shfaqi përkushtimin e saj për fuqizimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Z. Havolli e informoi Ministren Hoxha për punët e deritashme si dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion, ndërsa kërkoi nga ministrja që koordinimi dhe bashkëpunimi i deritanishëm të vazhdojë edhe më tutje.

Me këtë rast, ministrja Hoxha theksoi se është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes dhe ndihmës institucionale në tejkalimin e sfidave, ndërsa kërkoi që transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti të jenë prioritete kyçe në planifikimin e punëve.

Ndër të tjera, në këtë takim nga ana e kryetarit të OAK-së është ngritur çështja e Ligjit të Noterisë me të cilin ligj u konsiderua se janë dëmtuar shumë avokatët. Ai paraqiti edhe shqetësimet tjera të Odës së Avokatëve të Kosovës, e që kanë të bëjnë me nevojën për zgjedhjen e problemit të hapësirës për zyre qendrore të OAK-së, pastaj amendamentimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me përfaqësuesit të OAK-së në Këshill Prokurorial të Kosovës dhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës si dhe u kërkua që Oda e Avokatëve të Kosovës të jetë akter në bashkërendimin e zhvillimeve që do të pasojnë nga Gjykata Speciale.