09 November 2016
Prishtinë, 09.11.2016 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli dhe Drejtori Ekzekutiv, z. Yll Zekaj pritën në takim drejtoreshën e Njësisë për Politika dhe Hulumtime në kuadër të Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve në Amerikë (IBA), znj. Jane Ellis, shefin e Programit “Kërko drejtësi” në kuadër të USAID-it, z. John Furnari dhe përfaqësuesin e Institutit Demokratik të Kosovës, z. Visar Sutaj.
Kryetari Havolli dhe Drejtoresha Ellis vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve në Amerikë (IBA), dhe njëherit theksuan të rëndësishme pjesëmarrjen e Odës së Avokatëve të Kosovës në konferencat ndërkombëtare të organizuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Avokatëve në Amerikë (IBA) në tërë botën, duke marrë parasysh që OAK është anëtare e kësaj Shoqate që nga vitin 2009.
Duke folur rreth sfidave të hasura të Odës së Avokatëve të Kosovës, kryetari Osman Havolli konsideroj të rëndësishme mbështetjen e IBA-së në këtë drejtim, dhe shtoi se OAK do të jetë e hapur për bashkëpunim në të gjitha nivelet me faktorët vendor dhe ndërkombëtarë.
Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv, z. Yll Zekaj ka informuar të pranishmit për mënyrën e funksionimit të brendshëm dhe të jashtëm të OAK-së, duke u fokusuar rreth rolit të Qendrës Trajnuese për Avokatë, sistemin e disiplinor, format e anëtarësimit, mënyrën e shtrirjes regjionale si dhe organet tjera relevante të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Në anën tjetër, shefi i Programit “Kërko drejtësi” në kuadër të USAID-it, z. John Furnari përgëzoj bashkëpunimin e deritashëm me OAK-në dhe të arriturat evidente në ngritjen profesionale të avokatisë në Kosovë. Z. Furnari paraqiti idenë që OAK të jetë faktor kyç në hulumtimin për integritetin e gjyqësisë në Kosovë, e cila do të pasojë nga një pyetësor gjithëpërfshirës.
Kurse, përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), z. Visar Sutaj theksoi se bashkëpunimi me OAK-në do e ndihmoj Institutin në arritjen e angazhimeve të parapara për formulimin e një pyetësori gjithëpërfshirës që ka të bëjë me integritetin e gjyqësorit në Kosovë, i cili pyetësor, sipas Sutaj do të linçohet në janar të vitit 2017.