KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Dega Regjionale e OAK-së në Prishtinë dhe OSBE organizuan tryezën e përbashkët Bench Bar

15 March 2017

ekipi

Dega Regjionale e Odës së Avokatëve në Prishtinë në bashkëpunim me OSBE-në mbajti takimin Bench Bar, ku morën pjesë akterët e gjyqësorit, përfaqësues të OAK-së dhe përfaqësues të policisë. Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte themelimi i bashkëpunimit më të mirë në mes të akterëve të gjyqësorit në mënyrë që të fuqizohet drejtësia në Kosovë. Përkundër ftesës, munguan përfaqësuesit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Pjesëmarrësit në tryezë diskutuan lidhur me temën “Zbatimi i marrëveshjes për caktimin e avokatëve ex-officio dhe për përfaqësuesit e përkohshëm”.

Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli, Kryetari i Degës Regjionale të OAK-së në Prishtinë, z. Skender Musa, përfaqësuesi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, z. Arben Hoti, përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga OSBE-ja si dhe pjesëmarrës të tjerë nga institucionet e drejtësisë në Regjionin e Prishtinës. Ata theksuan rëndësinë e këtyre takimeve të përbashkëta dhe në pika të shkurta dhanë mendimin e tyre rreth temës duke lënë hapësirë më tutje për diskutim.

Drejtori Ekzekutiv i OAK-së, z. Yll Zekaj, sqaroi për pjesëmarrësit rreth mekanizmit të ri koordinues për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe zbatimin i tij në praktikë. Theksoi ngecjen e cila është e pranishme në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore dhe po ashtu në Prokurori, ku mbrojtja nuk është e detyrueshme, dhe 99% e avokatëve nuk angazhohen me arsyetimin se nuk ka mjete të mjaftueshme buxhetore mirëpo me rregullore është e specifikuar ndihma juridike falas (Pro Bono) neni 6 paragrafi 1, ku avokatët janë të obliguar që brenda një viti kalendarik në së paku një (1) lëndë të ofrojnë shërbimet e tyre Pro Bono, në çështjet ligjore të paraqitura nga ANJF, Policia, Prokuroria apo Gjykata sipas kërkesës së këtyre institucioneve.

Kryetari i OAK-së, z. Havolli dhe disa nga pjesëmarrësit u pajtuan që i pandehuri duhet të ketë avokatin prezent gjatë marrjes në pyetje kur ai është në ndalim. Përfaqësuesit e Policisë, theksuan vështirësitë që hasin në mbrojtën jo të obligueshme, ku paraqiten kërkesa për avokat, por në mungesë të mjeteve buxhetore krijohen vështirësi, ku edhe Prokuroria insiston që të vazhdohet pa avokat.

Nga ky takim, u propozua dhe u vendos që këto lloj takimesh Bench Bar të mbahen çdo 6 muaj, në mënyrë që të ketë mundësi diskutimi në mënyrë të detajizuar lidhur me zbatimin e marrëveshjes dhe rregullores për angazhimet sipas detyrës zyrtare.