KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

U mbajt Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Drejtues të OAK-së

22 April 2017

ekipi

Prishtinë - Me datë 22 prill 2017 në orën 12:00, u mbajt mbledhja e 178 e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës, e cilësuar e jashtëzakonshme, të cilën e kryesoi Kryetari i OAK-së, z. Osman Havolli.

Në këtë takim, u shqyrtua Vendimi nr. 05/142 datë 19 prill 2017 i Qeverisë se Republikës së Kosovës, për Ndalimin e përkohshëm të Ekzekutimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Rregullores së pezulluar me Vendimin e Qeverisë, i ka paraprirë Marrëveshja e nënshkruar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Policia e Kosovës, e përkrahur edhe nga partneret ndërkombëtar e me theks të veçantë OSBE.

Këshilli Drejtues konstatoi se, Qeveria e Republikës së Kosovës me zbatimin e vendimit te saj të datës 19 prill 2017, do të shkaktoj dëm të pariparueshëm në sistemin juridik të vendit, duke atakuar të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë në vend, themeluese të mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike, dhe do të cenoj rënd pavarësinë e këtyre institucioneve.

Pas diskutimeve për situatën e krijuar nga vendimi i Qeverisë, Këshilli Drejtues vendosi që;

  • Të zbatoj Vendimin e Qeverisë për ndalimin e përkohshëm të ekzekutimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare, dhe ofrimin e ndihmës juridike falas;
  • Përkohësisht të vazhdoj me caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare në sistemin e njëjtë, si para hyrjes në fuqi të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare, dhe ofrimin e ndihmës juridike falas;
  • Të hënën me datë 24 prill 2017, të organizoj Konferencë për Media, përmes së cilës do të njoftoj opinion rreth veprimeve të mëtejshme në lidhje me Vendimin e Qeverisë nr. 05/142 i datë 19 prill 2017.