KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Bench Bar Prizren - "Iniciativa për Integritet në Sistemin e Drejtësisë"

27 July 2017

ekipi

Prizren, 25.07.2017 - Dega Regjionale e Odës së Avokatëve të Kosovës në Prizren në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës dhe NCSC mbajti tryezën e përbashkët Bench Bar me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, policë, dhe përfaqësues te shoqërisë civile,kryesues të takimit ishin Kryetari i OAK-së z.Osman Havolli,kryetari i Degës Regjionale të OAK-së në Prizren z. Hajrip Krasniqi dhe Drejtori Ekzekutiv i OAK-së z.Yll Zekaj

Në këtë tryezë u prezantua një hulumtim i bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës, për perceptimin e integritetit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë nga akterë të brendshëm të këtyre institucioneve. Hulumtimi u prezantua nga z. Arben Kelmendi, koordinator i projektit.

Sipas hulumtimit, më shumë se 70 përqind e të anketuarve kanë pranuar që kanë dijeni për praninë e sjelljeve korruptive në sistemin e drejtësisë. Format më të shpeshta të sjelljeve korruptive janë cilësuar favorizmi dhe nepotizmi pasuar nga ndërhyrje politike dhe rryshfeti. Nxitësit kryesor janë renditur përfitimet personale, mbajtja e raporteve të mira me akterë politik që pasohen me shpërblim edhe emërime, dhe mungesa apo nivel jo i duhur i mekanizmave mbikëqyrës.

Raporti i plotë i këtij hulumtimi do të publikohet nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Pas prezantimit së hulumtimit nga z. Kelmendi, shumë nga të ftuarit theksuan rëndësinë e hapjes së temës rreth korrupsionit, duke shpresuar në më shumë takime te tilla, dhe hulumtime edhe më të thella në sistemin e drejtësisë. Sipas pjesëmarrësve edhe pse këto te dhëna janë shqetësuese, nuk mund të mohohet kjo dukuri e pranishme nëpër institucionet e drejtësisë, sidomos pasi që këto statistika janë marrë nga akterë të brendshëm.

Takime të tilla Bench Bar do të vazhdojnë edhe në regjione të tjera të Kosovës, me qëllim të përmirsimit të bashkëpunimit midis Gjykatës, Prokurorisë, avokatëve dhe Policisë, dhe avancimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.