KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Përfaqësues të BE-së dhe OAK-së organizuan debat për Kodin Civil – faza e dytë

31 October 2018

ekipi

31.10.2018, Prishtinë - Përfaqësues të projektit të Bashkimit Evropian, “Mbështetje Kodit Civil - faza e dytë”, në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës, organizuan debat me temë “Praktikat ligjore të avokatëve në të drejtën civile”, projekt ky që po mbështet Ministrinë e Drejtësisë për të finalizuar Kodin Civil të Kosovës.

Në këtë ngjarje, e cila mblodhi avokatë, gjyqtarë, si dhe ekspertë të fushës civile në veçanti, diskutimi u zhvillua në kontekst të praktikave të tyre të përditshme ligjore në fushat e së drejtës civile dhe ndikimin e Kodit Civil në kapacitetet e avokatëve në çështjet e së drejtës civile. Ndërkohë, pjesa e dytë e debatit u fokusua tek rastet e shpjeguara të së drejtës familjare dhe të trashëgimisë, si dhe cila është rruga ligjore që duhet ndjekur në të ardhmen.

Kryetari i OAK-së, z. Osman Havolli, duke folur për përmbajtjen e Kodit Civil, i cili ruan dispozitat ekzistuese, si ligjin e pronësisë, ligjin e detyrimeve, të familjes dhe atë të trashëgimisë, theksoi se tashmë Kosova do ta ketë një Kod Civil unik, i cili do t’iu shërbejë profesionistëve në të ardhmen varësisht prej zhvillimeve shoqërore ekonomike dhe të organizimeve shtetërore, ku avokatët janë të detyruar t’i përshtaten.

Panelistë të këtij debati ishin edhe z. Haxhi Gashi, zëvendës - udhëheqës i projektit, njeherësh, dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, z. Beshir Islami gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe avokat, z. Adem Vokshi.

Po ashtu, u vu në pah se Kodi Civil modern i Kosovës paraqet një nga shtyllat e një shoqërie funksionale të bazuar në sundimin e ligjit.