28 November 2018
28.11.2018, Prishtinë - U mbajt mbledhje komemorative nga Dega Regjionale e Prishtinës me rastin e vdekjes së avokatit të mirënjohur, Bajram Tmava.
Hapjen e bëri kryetari i kësaj Dege, Nasuf Hasani, duke thënë se avokati Tmava ishte njëri nga doajenët e avokatisë dhe shembull për të gjithë.
Figurën e Bajram Tmavës e lartësoi edhe bashkëpunëtori i tij, av. Mexhid Syla, duke thënë se ai ishte një profesionist dhe koleg i dashur për ata që e njohën nga afër.
Në emër të familjes së avokatit Bajram Tmava, e bija e tij Arlinda dhe mbesa Lea përshkruan jetën e Bajramit, si baba dhe familjar shembull, dhe njëkohësisht duke falenderuar avokatët në një pjesëmarrje të madhe, e që familjen Tmava e bënë të ndihet krenare.
Jetën dhe veprën e z. Tmava, e madhështoi edhe avokati i mirënjohur kosovar, Avni Gjakova.
Kryetari i OAK-se, Havolli, i shprehu ngushllime familjes Tmava dhe gjithë avokatëve, i cili tha se "kam një kërkesë personale që para jush të lexojë, respektivisht të paraqes një telegram ngushëllimi të përpiluar nga Francesko Flori, ish - gjyqtar i EULEX-it, e tani gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Venecia".
Në telegramin e tij adresuar familjes dhe avokatëve, thuhet se “Kemi punuar së bashku në shume raste. I ndjeri ka qenë Avokat shume korrekt dhe profesional, me shpirt kritik. Shumë më mërzit vdekja e një burri që ka qenë një shembull në seanca, e në jetë. Për këtë arsye, ju shpreh solidaritetin tim dhe uroj qetësi dhe paqe për Avokatin Tmava”.
Telegram ngushëllimi nga SHBA, dërgoi edhe kolegu i avokatit Tmava, Destan Rukiqi, mesazh ky që u lexua në këtë mbledhje komemorative.
“Në pamundësi që fizikisht të marrë pjesë në ceremoninë mortore të kolegut dhe mikit tim të dashur, dëshiroj t’iu shpreh ngushllimet e sinqerta juve familje Tmava, për bashkëshortin, babain, gjyshin dhe vëllanë e mrekullueshëm, që keni humbur dhe juve avokatë dhe miqë, për mikun, kolegun dhe avokatin brilliant që nuk do ta kemi më në mesin tonë”.
Varrimi i të ndjerit Tmava u bë me datë 28.11.2018 në varrezat e fshatit Mazgit të komunës së Prishtinës, në orën 15:00.