KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Oda e Avokatëve të Kosovës shënoi “Ditën e Avokatisë 2018” – 45 vjet OAK

24 December 2018

ekipi

24.12.2018, Prishtinë - U shënua 45 vjetori i themelimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, respektivisht “Dita e Avokatisë”. Hapja e manifestimit, u bë më 21 dhjetor në Hotel Sirius, ndërsa ceremonia qendrore e këtij manifestimi është mbajtur më 22.12.2018, në Hotel Swiss Diamond, në të cilën morën pjesë liderë shtetërorë, krerë të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të delegacioneve të huaja, avokatë, gjyqtarë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Ceremoninë e manifestimit të Ditës së Avokatisë e hapi kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli.

Z. Havolli fillimisht përshkroi rrugëtimin e OAK-së për po thuajse gjysmë shekulli të funksionimit të saj, duke vlerësuar përpjekjet dhe kontributin e shumë avokatëve ndër vite në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Kryetari Havolli tha se avokatia në shoqërinë kosovare është një hallkë shumë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe duhet kujtuar se daton qysh para fillimit të luftës së dytë botërore, kur aso kohe në Mbretërinë Shqiptare, respektivisht në Ministrinë e Drejtësisë të Mbretit Zog, u regjistrua avokati i parë shqiptar, Sokol Dobroshi.

Këtë manifestim e nderoi edhe ish - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila në fjalimin e saj tha se profesioni i avokatit është profesion i nderit, duke kërkuar nga Avokatia kosovare që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, t’ju ofrohet mbështetje dhe përkrahje nga OAK, në realizimin e të drejtave të tyre ashtu që përgjegjësit e këtyre krimeve të dalin para organeve të drejtësisë.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, në paraqitjen e tij tha se aktualisht janë të përqendëruar në unifikimin e politikës ndëshkimore të Kosovës, duke kërkuar që edhe Avokatia të japë kontributin e vetë në unifikimin dhe zbatimin e politikave ndëshkimore.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, në ekspozenë e tij tha se është më se e domosdoshme që të rritet numri i gjyqtarëve për të shtuar efikasitetin dhe azhuritetin e lëndëve ashtu që të rritet besimi edhe tek qytetarët në drejtësi.

Kësaj ceremonie, madhështinë ia shtuan edhe personalitete nga rajoni dhe me gjerë, si përfaqësuesë të Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë, Çekisë, Sllovenisë, të Malit të Zi dhe Kroacisë, të cilët në fajlën e tyre përshëndetëse, në shënimin e këtij 45 vjetori, potencuan se me Odën e Avokatëve të Kosovës, kanë raporte të shkëlqyeshme, në vizita zyrtare të ndërsjella, duke shprehur interesimin për një bashkëpunim më konkret dhe më të frytshëm në lëmitë e ndryshme, për të cilat kanë interes institucionet shtetërore, por edhe qytetarët.

Në shënimin e “Ditës së Avokatisë”, betimin e dhanë edhe 24 avokatë të ri, të cilët thanë se hyrja në profesionin e Avokatisë është një sfidë, por obligim dhe nder i veçantë që mu në këtë ditë hyjnë në profesionin e ri të avokatit.

Për Ditë të Avokatisë, po ashtu, u bë ndarja e mirënjohjeve, dhe ajo i takoi doajenit të Avokatisë, Teki Bokshi për kontributin e veçantë të dhënë në vazhdimësi në ngritjen e rolit dhe profesionalizmit të Avokatisë në Shoqërinë Kosovare dhe po ashtu edhe në Fondin për të Drejtat Humanitare.

Mirënjohje inkurajuese për hyrje në profesionin e avokatisë iu nda avokatit më të ri të regjistruar, Leutrim Ademi, tani avokat nga Mitrovica.

Njëherit, Yll Zekajt, me rastin e përfundimit të punës si Drejtor Ekzekutiv në OAK, për punën, mbështetjen, përkushtimin dhe përkrahjen e Odës e Avokatëve të Koosvës nëpër vite, iu nda një mirënjohje.

Një falenderim i veçantë iu bë mbështetësve, donatorëve: USAID, UNICEF, OSCE, Këshilli i Evropës, përfaqësitë diplomatike të akredituara në Kosovë dhe donatorët vendorë. Me këtë rast, kryetari i OAK-së, iu falenderua avokatit Dastid Pallaska, i cili vite me radhë ka ndarë donacion për "Ditën e Avokatisë".

Ceremonia u përcoll edhe me konferencën “Liria e Shprehjes dhe tejkalimi i saj”, të cilën e udhëhoqi përfaqësuesja e OAK-së, Albulena Ukimeraj, kurse panelistë ishin: Gentiana Begolli, Kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Besnik Berisha - avokat, Taulant Hodaj - avokat dhe Lumni Sallauka - gjyqtar.

Pas përfundimit të ceremonisë, mysafirët ishin për një vizitë në qytetin e Rahovecit, duke vizituar edhe prodhuesin e njohur të verarisë “Ilyrian Ëine”.

Të gjitha këto aktivitete u përmbyllën me një mbrëmje festive.