26 November 2019
Ferizaj, 26.11.2019 – Dega Regjionale e Odës së Avokatëve të Kosovës në Ferizaj, mbajti Kuvendin zgjedhor në të cilin janë zgjedhur kryetari, nënkryetari, sekretari dhe delegatet e kësaj Dege. Në procesin e votimit kanë marrë pjesë 36 avokatë sa kanë qenë pjesëmarrës në këtë Kuvend nga 56 avokatë sa i ka gjithsej kjo Degë.
Kuvendin e hapi me një fjalë rasti Kryetari i DR Ferizaj z. Zekrija Gashi, ndërsa Kryetari i OAK-së z. Osman Havolli përshëndeti punimet e këtij Kuvendi duke uruar që procesi zgjedhor të shkoj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sa më demokratike duke theksuar se Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të jetë në funksion të zbatimit të misionit të saj.
Avokatët e Degës Regjionale në Ferizaj vendosen përmes votimit me aklamacion se në mandatin e ardhshëm këtë Degë do ta udhëheq avokat Fitim Shabani i cili u zgjodh kryetar i Degës.
Po ashtu, avokatët gjatë Kuvendit kanë zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë së Degës Regjionale në Ferizaj. Nënkryetare e Degës Regjionale në Ferizaj u zgjodh av. Elvira Heta Vata, ndërsa për sekretar me aklamacion është zgjedhur avokati, Samir Reka.
Avokatët e Regjionit në Ferizaj zgjedhën 5 (pesë) delegatët e saj të cilët do të përfaqësojnë në Kuvendin e Përgjithshëm të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Oda e Avokatëve të Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike është duke i mbajtur zgjedhjet edhe në Degët tjera Regjionale. Kryetarët e zgjedhur të Degëve Regjionale janë edhe anëtarë të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës.