06 December 2019
Gjakovë, 06.12.2019 – Dega Regjionale e Odës së Avokatëve të Kosovës në Gjakovë, mbajti Kuvendin zgjedhor në të cilin janë zgjedhur kryetari, nënkryetari, sekretari dhe delegatet e kësaj Dege.
Kuvendin e hapi me një fjalë rasti Kryetari i DR Gjakovë z. Teki Bokshi, ndërsa Kryetari i OAK-së z. Osman Havolli përshëndeti punimet e këtij Kuvendi duke uruar që procesi zgjedhor të shkoj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sa më demokratike duke theksuar se Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të jetë në funksion të zbatimit të misionit të saj.
Në procesin e votimit në të cilin kanë votuar rreth 52 avokatë sa kanë qenë pjesëmarrës në këtë Kuvend nga 65 avokatë sa i ka gjithsej kjo Degë, me shumicë të votave u zgjedh kryetar i kësaj Dege avokati Ergjyment Barbullushi, ndërsa kundërkandidatë për këtë post ishte avokat Nexhmedin Gashi.
Po ashtu, avokatët gjatë Kuvendit kanë zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë së Degës Regjionale në Gjakovë. Nënkryetare e Degës Regjionale në Gjakovë u zgjodh av. Blerina Kurtaj, ndërsa për sekretar është zgjedhur av. Urim Pozhegu.
Avokatët e Regjionit në Gjakovë zgjedhën 5 (pesë) delegatët e saj të cilët do të përfaqësojnë në Kuvendin e Përgjithshëm të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Kryetarët e zgjedhur të Degëve Regjionale janë edhe anëtarë të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës.