KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj vizitoj Odën e Avokatëve të Kosovës

17 September 2020

ekipi

17.09.2020 Prishtinë – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi, së bashku me nënkryetarin, z. Naim Rudari, dhe anëtarin e Këshillit Drejtues, z. Flamur Ahmeti, pritën në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i sfidave të avokatëve dhe policisë së Kosovës si dhe shtjellimi i shumë çështjeve me rëndësi për avokatët dhe sistemin e drejtësisë, në këtë kohë pandemie.

Kryetari, z. Ejupi, në këtë takim ka njoftuar z. Qalajn lidhur me vështirësitë e avokatëve në pandemi, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen aktualisht.

"Avokatët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në raport me Policinë e Kosovës, kanë sfidat e tyre dhe besoj se vetëm nëpërmjet frymës së bashkëpunimit të ndërsjelltë, mund të eliminohen këto sfida, me qëllim të avansimit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.” theksoi kryetari Ejupi.

Drejtori z. Qalaj, fillimisht uroj kryetarin dhe udhëheqësinë e re të OAK-së, derisa tha se Policia e Kosovës është e përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve të saj, konform ligjit dhe se ai personalisht do të angazhohet që avokatët do të kenë trajtimin e duhur konform dispozitave ligjore.

U diskutuan edhe një sërë çështjesh me rëndësi, për të cilat palët u dakorduan që së bashku të fillojnë angazhimin konkret duke u zotuar se në të ardhmen do të punohet për eleminimin e sfidave të përbashkëta.

Të dy krerët e institucioneve shprehën gatishmëri të plotë për realizimin dhe përmbushjen e misionit të të dy institucioneve si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Policisë Kosovës, përmes koordinimit në krijimin e politikave për fuqizimin e aktiviteteve dhe realizimin e objektivave ndërinstitucionale.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që të vazhdojnë me komunikim të rregullt ndërinstitucional, për identifikimin e çështjeve që janë me rëndësi për të dyja institucionet dhe për t’i avancuar bashkërisht proceset e mëtutjeshme.