26 October 2021
26.10.2021, Prishtinë – Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu priti në takim Kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi.
Pjesë e takimit ishin edhe shefi i kabinetit të Ministres, z. Genc Nimoni, ndërsa nga OAK, Kryetari i Degës Regjionale të OAK-së në Ferizaj, z. Fitim Shabani dhe z. Halim Shala avokat në Prishtinë.
Kryetari Ejupi, njoftoj për së afërmi Ministren e Drejtësisë, lidhur me çështjet aktuale dhe angazhimet e Odës së Avokatëve të Kosovës në shumë sfera, që kanë për qëllim përmirësimin e ushtrimit të profesionit të avokatit në njërën anë, ndërsa në anën tjetër i kontribuojnë rritjes së efikasitetit në përgjithësi në sistem të drejtësisë.
Në këtë takim, u diskutuan çështje me rëndësi dhe interes të përbashkët të të dyja institucioneve, ku tema kyqe të takimit ishte projekt Kodi i Procedurës Penale, për të cilin u theksua se Oda e Avokatëve të Kosovës ka shumë interes që të merren parasysh propozimet e saja në mënyrë që të miratohet një Kod, i cili i plotëson nevojat të cilat nuk janë arritur me Kodin aktual në fuqi.
Po ashtu, u ngritën çështje që kanë të bëjnë me ndryshimet që nevojiten në Ligjin për Avokatinë, ngritjen e tarifave për angazhimet e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ndryshim plotësimin e ligjeve tjera që janë me interes për avokatinë në Kosovë.
Ministrja e Drejtësisë, theksoi përkrahjen e saj në të gjitha nismat e Odës së Avokatëve të Kosovës, që janë në interes të përmirësimit të sistemit të drejtësisë, duke shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë me Odën e Avokatëve të Kosovës.
Palët u dakorduan që të vazhdojnë me koordinim të aktiviteteve të përbashkëta, për përmirësimin e shumë çështjeve me interes të përbashkët.