21 October 2022
Mitrovicë, 19.10.2022 – Dega Regjionale e OAK-së në Mitrovicë, e kryesuar nga Kryetari i kësaj Dege, z. Vehbi Beqiri, në bashkëpunim me OSBE-në, mbajti tryezën e përbashkët Bench Bar, në të cilën ishte prezent edhe: Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë znj. Ljiljana Stevanovic; Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë z. Ismet Ujkani; Përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Nikolla Kabashic, Major Arsim Krasniqi përfaqësues i Policisë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe përfaqësues të Stacioneve Policore të Kosovës, në Jug dhe Veri të Mitrovicës, përfaqësuesja e OSBE znj. Daniela Popovova dhe z. Xhelal Beqiri.
Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte thellimi i bashkëpunimit më të mirë në mes të akterëve të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të fuqizohet drejtësia në Kosovë me theks të veçantë në Regjionin e Mitrovicës.
Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan lidhur me temën: “Integrimi i sistemit gjyqësor në Regjionin e Mitrovicës, të arriturat dhe sfidat V”.
Në këtë takim të përbashkët u diskutuan të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet gjyqësore në Regjionin e Mitrovicës. Këto takime të përbashkëta planifikohet të jenë jo formale. Të gjitha çështjet do të jenë specifike dhe të fokusuara. Këto zgjidhje mandej do të ndahen me autoritetet regjionale dhe ato të nivelit qendror.
Sfidat: Angazhimi i avokateve mbrojtës në rastet kur mbrojtja është e obliguar nga Policia, Prokuroria dhe Gjykata në procedurën gjyqësore kur angazhohen “sipas detyrës zyrtare”
Përmbledhje e të gjeturave dhe rekomandimeve nga pjesëmarrësit
Përgatitja e faturave dhe faturave të pagesës nga avokatët mbrojtës;
Kjo çështje pas kërkesës nga Dega Regjionale e OAK-së në Mitrovicë, drejtuar organeve të drejtësisë dhe takimit me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me dt. 18.10.2022 është arritur pajtimi i plotë që gjyqtarët menjëherë pas veprimit/seancës, avokatit mbrojtës t’i ofrojnë shpenzimoren e nënshkruar, në të kundërtën avokatët në fund të muajit deri me dt. 5 të muajit pasues, (për muajin paraprak), duhet t’i dorëzojnë faturat të pa nënshkruara tek referentja në shkrimore, e cila pastaj do të procedon me të njëjtat, pa pasur nevojë që avokatët të merren më tutje me të njëjtat. Në rast të ndonjë gabimi apo të ngjashme avokatët do të kontaktohen nga gjykata. d.m.th. Faturat e kompletuara (me formular të nënshkruara apo të pa nënshkruara), duke përfshi edhe parashtresat deponohen në sportelin e gjykatës dhe nuk ka nevojë të shkohet as tek Zyra e financave apo diku tjetër.
Gjykata ka premtuar së edhe pagesat do të jenë në kohë sa më të shpejtë të mundshme. Luten avokatët që të prezantojnë realitetin e veprimeve në fatura.
Veprimet të cilat përfshihen në mbrojtje: parashtresat, përfaqësimi, mjetet e rregullta dhe jashtëzakonshëm, vizita etj.
Përfaqësuesit e institucioneve lidhur me veprimet që parashihen në pagesa sipas detyrës zyrtare nuk kanë kompetenca në nivel Regjional, por se ato duhet të barten në nivel të KGJK-së, KPK-së dhe OAK-së, për diskutim dhe vendosje.
Gjithashtu dhe sa i përket heqjes së limiteve për pages dhe ndryshimit të pagesës për veprime të cilat kanë mbetur të pandryshuara me vite duhet rishikohen nga organet në nivelin qendror.
Në takim u shtruan dhe çështje tjera të cilat do të jenë në fokus në takimet e radhës si:
Përkthyesit - përkthimi janë ndër çështjet kryesore te cilat po ndikon në azhurnimin e lëndëve të cilat janë në pritje kohë të gjatë në përkthim.
KGJK-ja duhet ndërmarr hapa urgjent në këtë drejtim duke shtuar numrin e përkthyesve apo shfrytëzuar përkthyesit nga gjykatat tjera në Kosovë, dhe përmirësuar kushtet e punës, pagën duke pas parasysh dhe kriteret për rekrutimin e stafit për një përkthim me kohë dhe kualitet të nevojshëm.
Profilizimi i avokatëve mbrojtës për rastet e rënda penale;
Takimi u përmbyll me këto të gjetura, duke u theksuar se duhet të ketë vazhdimësi të këtyre takimeve, me qëllim që të shihet se sa po realizohen të gjeturat e këtij Bench Bar-i, ashtu që për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë tryezë u falënderuan pjesëmarrësit, për kontributin e tyre dhe pjesëmarrjen e rregullt në këto takime, tanimë tradicionale.