KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Sqarim për anëtarësinë nga OAK!

07 July 2023

ekipi

I/E nderuar avokat/e,

Na lejoni që të ju njoftojmë dhe të ju vëjmë në dijeni lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Oda e Avokatëve të Kosovës, nuk ka qenë pjesë e asnjë grupi punues lidhur me këtë marrëveshje.

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, me datë 17.03.2023 ka ftuar Kryetarin në takimin e përbashkët të akterëve të Kosovës dhe Shqipërisë, ku Kryetari Ejupi, ndër të tjera, ka theksuar se Oda e Avokatëve të Kosovës, është e interesuar për të thelluar bashkëpunimin me të gjitha Odat në Rajon e sidomos me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. Po ashtu, i ka bërë me dije se ka pengesa ligjore që nuk mund të tejkalohen vetëm me lidhjen e një marrëveshje të tillë.

Kryetari Ejupi, në disa takime me Ministrinë e Drejtësisë, ka kërkuar që të ruhet autonomia e Odës së Avokatëve të Kosovës, duke u bazuar në atë se Avokatia është kategori kushtetuese dhe se OAK, është institucion ligjor dhe i pavarur në ushtrimin e veprimtarisë së saj.

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, me datë 02.06.2023 (e premte) ka dërguar një ftesë OAK-së, në të cilën ka njoftuar se me datë 05.06.2023 (e hënë), do të takohen palët në Shqipëri. (Në këtë takim pasi që Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë njoftimet me kohë, nuk ka qenë i pranishëm Kryetari i OAK-së, por siç ka kuptuar OAK, ka munguar edhe Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, z. Maksim Haxhija.)

Ministria e Drejtësisë, me datë 02.06.2023, i ka dërguar OAK-së, vendimin e Ministres Albulena Haxhiu, të datës 12.07.2022 me të cilin ka formuar grupin punues për përgatitjen e deklaratave të reciprocitetit për fushën e avokatisë, ndërmjetësimit dhe njohjen e Provimit të Jurisprudencës së Republikës së Shqipërisë. Hartimin e draft marrëveshjes etj. Në këtë vendim nuk është përfshirë asnjë anëtar nga OAK!

Ministrja Haxhiu, me datë 21.03.2023, ka ndryshuar vendimin e dt.12.07.2022 dhe ka caktuar nga OAK-ja, Kryetarin Behar Ejupi në ekipin punues, pa asnjë konsultim paraprak, përkundër se Kryetari Ejupi, kishte kërkuar që OAK-ja, të informohet dhe të jetë e përfshirë në këtë proces, në të mirën e sistemit të drejtësisë dhe të avokatisë në përgjithësi.

Prandaj, përkundër që OAK ka kërkuar koordinim institucional me Ministrinë e Drejtësisë, dhe ka premtuar bashkëpunim në kuadër të autorizimeve ligjore, lidhur me këtë synim, por Ministria e Drejtësisë pa marrë asnjë mendim nga Oda e Avokatëve të Kosovës (bazuar në nenin 40 të Ligjit për Avokatinë), ka nënshkruar marrëveshje e që faktikisht nuk mund të zbatohet sepse Ligji për Avokatinë dhe Statuti i OAK-së, nuk u’a njeh këtë kompetencë Ministrisë së Drejtësisë.

OAK, është e përkushtuar që të mbroj profesionin e avokatit, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Avokatinë, që garantojnë autonominë e saj, dhe nuk do të lejoj që të cenohet pavarësia administrative e Odës.

Shëndet e gjitha të mirat!

Me respekt,

Zyra për Informim

Oda e Avokatëve të Kosovës