KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

RRETH NESH

MISIONI

· Oda e Avokatëve të Kosovës ka qëllim kryesor avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke mbështetur procesin e reformave ligjore. Ajo vazhdimisht do të jetë në mision të përmirësimit të drejtësisë.

· OAK do të nxitë një qasje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit ligjor për të gjithë personat pa marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale. Këto përpjekje do të përfshijnë veçanërisht pakicat, gratë dhe personat me të meta. Komuniteti do të përfitojë nga përpjekjet e Odës për përforcimin e administrimit të drejtësisë, zgjerimin e kuptimit dhe respektimin e ligjit dhe të institucioneve ligjore.

· Oda do ta angazhohet për rritjen e njohjes publike dhe respektit për ligjin, procedurat ligjore dhe rolin e profesionit ligjor në mbrojtjen e standardeve ligjore. Ajo do të shtojë përpjekjet për të ruajtur, promovuar dhe avancuar idealet e drejtësisë dhe dedikimin e profesionit ligjor shërbimit publik.

· Oda do të vendosë standarde të larta të profesionalizmit, kompetencës, besimit dhe sjelljes etike për avokatët në Kosovë. Ajo vazhdimisht angazhohet që ta përmirësojë përgatitjen profesionale të anëtarëve; të kujdeset për pajisjen e tyre me informacione të rëndësishme për ushtrimin e profesionit.

· Oda do të sigurojë përfitime, programe dhe shërbime të cilat ndihmojnë ngritjen profesionale dhe rritjen e cilësisë së jetës profesionale të anëtarëve të vet. Ajo do t’i ndihmojë anëtarët në komunikimin me gjykatat dhe organet e administratës si dhe autoritetet e tjera të vendosura në Kosovë; të vihet në mbrojtjen e anëtarëve të vet në rastet e trajtimit jo të drejtë nga autoritetet.

· Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit ligjor dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike.

Historia e shkurtër

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) është një organizatë vetëqeverisëse, demokratike e avokatëve kosovar e cila vepron si e pavarur nga organet shtetërore. Parlamenti i Kosovës themeloi Odën e Avokatëve të Kosovës (më tutje “OAK”) pas miratimit të Ligjit mbi Avokaturën dhe Ndihmën Tjetër Juridike (i shpallur në Gazetën zyrtare të Kosovës nr. 43/73, ndryshimet Gz. 46/77, teksti spastruar 19.12.1979 Gz. 48/79). Avokati i parë ishte regjistruar në vitin 1974. Mirëpo, fillet e para të avokaturës dhe ndihmës juridike në Kosovë i hasim pak para fillimit të luftës së II Botërore. Atë herë me shërbimet e avokaturës është marrë edhe tani i ndjeri, Hivzi Sylejmani. Gjatë Luftës II, në pjesën e territorit të Kosovës e cila ishte nën qeverisjen shqiptare të instaluar nga Italia, e në të cilën bënte pjesë edhe Prishtina, ishte e mbuluar me sistemin e gjykatave, të vendosura nga po ajo qeveri. Gjatë kësaj kohe avokaturën e ushtronin disa avokatë nga Shqipëria e tashme dhe një avokat tjetër nga Tetova, i cili ka punuar në Ferizaj (Tasjani i atëhershëm) dhe ka pasur për praktikantë të vetin profesorin Sokol Dobroshi. Avokati i parë shqiptar i regjistruar pas Luftës II ishte Zeqë Arni, një doajen i avokatisë kosovare. Ai është regjistruar në O. A. Jugosllavisë, pasi Kosova, nuk kishte organizatë të veten të avokatëve. Më pas, pas tij, regjistrohen edhe fillojnë ushtrimin e profesionit të avokatit të licencuar edhe të tjerë, si Hasan Kryeziu, Mehmet Dushku, Bajram Kelmendi, Latif Krasniqi, të gjithë nga Prishtina, Adem Bajri, Mikel Marku dhe Mustafë Radoniqi, nga Peja, etj. Pas vendosjes së administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut në qershor 1999, institucionet gjyqësore ishin ri themeluar në Kosovë (në pajtim me Rregulloren 1999/24 Mbi Ligjin në Fuqi në Kosovë). Organizatat ndërkombëtare që kanë qenë duke punuar në Kosovë (OSBE, ABA/CEELI, AER dhe Këshilli i Evropës) ri themeluan OAK-në pas luftës dhe kuvendi i parë i saj ishte mbajtur menjëherë në vitin 1999. Në mënyrë që një person të ushtrojë profesionin e avokatit ai/ajo duhet të jetë anëtar i OAK-së.

Korniza Ligjore

Kornizën ligjore për veprimin e OAK e përben Ligji për Avokatinë Nr. 04/L-193 i datës 31 Maj 2013, i cili shfuqizon Ligjin mbi Avokaturën dhe Ndihmën tjetër Juridike, Gazeta Zyrtare e KSAK, Nr. 011-69/79. Ky ligj në Kuvendin Vjetor të OAK të mbajtur në prill 2004, është aprovuar Projektligji i ri për Avokaturën. Në gusht 2004 edhe Parlamenti i Kosovës e kishte aprovuar në parim Ligjin e propozuar për Avokaturën, ndërsa në vjeshtë të të njëjtit vit, i është dërguar PSSP për nënshkrim. Kurse, me 31 maj 2013 ka hyrë në fuqi Ligji për avokatinë me Nr. 04/L-193.

Detyrat me rëndësi / Misioni

Një mision bazik i Odës është i përcaktuar në mënyrë të veçantë dhe i nënshtruar kërkesave të ligjvënësit e që lidhet me rolin e saj në sistemin juridik dhe me anëtarësimin e detyrueshëm ligjor të avokatëve. Vet Oda ka qëllim kryesor avancimin e sundimit të së drejtës duke mbështetur procesin e reformave ligjore. Misioni i saj i drejtë do ta bëjë Odën zëdhënësin kryesor të drejtësisë ligjore, profesionit ligjor dhe sundimit të ligjit. Ajo vazhdimisht do të jetë në mision të përmirësimit të drejtësisë. Roli themelor të cilin OAK e ka në funksionimin e profesionit të drejtësisë ia parashtron asaj një nga qëllimet kryesore të misionit-të nxitë një qasje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit ligjor për të gjithë personat pa marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale. Këto përpjekje do të përfshijnë veçanërisht pakicat, gratë dhe personat me të meta. Komuniteti do të përfitojë nga përpjekjet e Odës për përforcimin e administrimit të drejtësisë, zgjerimin e kuptimit dhe respektimin e ligjit dhe të institucioneve ligjore. Oda do ta ketë për qëllim të vetin të përhershëm rritjen e njohjes publike dhe respektit për ligjin, procedurat ligjore dhe rolin e profesionit ligjor në mbrojtjen e standardeve ligjore. Ajo ka mision të përhershëm dhe standard të konsoliduar përpjekjet për të ruajtur, promovuar dhe avancuar idealet e drejtësisë dhe dedikimin e profesionit ligjor shërbimit publik.

Oda duhet të vendosë standarde të larta të profesionalizmit, kompetencës, besimit dhe sjelljes etike. Vet pozita e Odës si organizatë e obliguar profesionale e avokatëve e vë atë në raporte organizimit të detyrueshëm të anëtarëve të vet. Megjithëkëtë, një qasje tjetër lidhur me këtë është e domosdoshme, sepse vendosja e shërbimeve të përhershme për anëtarësinë Odën do ta kthente përfundimisht kah anëtarët e vet. Ajo duhet ta përmirësojë përgatitjen profesionale të avokatëve anëtarë; të kujdeset për pajisjen e tyre me informacione të rëndësishme për ushtrimin e profesionit. Oda do të sigurojë përfitime, programe dhe shërbime të cilat ndihmojnë ngritjen profesionale dhe rritjen e cilësisë së jetesës së anëtarëve të vet. Ajo duhet t’i ndihmojë anëtarët në komunikimin me gjykatat dhe organet e administratës si dhe autoritetet e tjera të vendosura në Kosovë; të vihet në mbrojtjen e anëtarëve të vet në rastet e trajtimit jo të drejtë nga autoritetet. Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit ligjor dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike.

Organizimi i OAK

Statuti i OAK-së që është akti më i lartë normativ, siguron një vetorganizim të plotë të brendshëm për Oden. Sipas Statutit Oda është organizatë e pavarur e avokatëve e themeluar me ligj. Oda përfaqëson avokaturën e Kosovës. Organet e Odës janë: Konferenca e përgjithshme, Kuvendi, Kryetari, Këshilli Drejtues, Këshilli Mbikëqyrës, organet disiplinore, dhe organet e përcaktuara me Statutin e Odës. Kuvendi i Odës përbëhet nga përfaqësuesit e degëve regjionale, mbi parimin e sistemit të delegimit, të cilët zgjidhen në proporcion me numrin e anëtarëve të Degëve Regjionale. Kuvendin e Odës e përbëjnë tetëdhjetë e pesë (85) delegatë; Kuvendi zgjedhë Kryetarin, Nënkryetarin, Komisionet Disiplinore, Këshillin Mbikëqyrës, zgjedhë anëtarin nga jashtë të Këshillit Drejtues, etj. Organet e Odës zgjidhen për mandat katër katërvjeçar; Mbledhja e rregullt e Kuvendit të Odës (në tekstin e mëtejshëm: Kuvendi), mbahet një herë në vit dhe e thërret Kryetari i OAK. Mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit e thërret Kryetari me nismën e vet, në bazë të kërkesës së 1/3 të delegatëve të Kuvendit, 1/3 e antarëve të Këshillit Drejtues ose në bazë të kërkesës, së paku, të tri Degëve Regjionale të Odës. Kuvendi i Odës, përveç tjerash, miraton Statutin e Odës, Kodin e Etikës Profesionale të avokatëve, tarifën për kompensimin e Avokatëve, Rregulloren disiplinore, Rregulloren për punën e Kuvendit dhe Rregulloren për Arsimimin e Vazhdueshëm Ligjor të Obligueshëm të avokatëve; Miratimi i buxhetit të Odës; Miratimi i raportit vjetor; Vendime mbi çështjet e tjera, të rezervuara me Statutin e Odës së Avokatëve; Shqyrtimi i të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me kryerjen e veprimtarisë së avokatisë dhe pozitën e avokatisë; Shqyrtimi i raportit të organit mbikëqyrës; Debati dhe nxjerrja e qëndrimeve dhe vendimeve lidhur me përparimin e punës së Odës, bashkëpunimin dhe anëtarësinë me institucione dhe asociacione tjera vendore dhe ndërkombëtare; Shqyrtimi dhe marrja e qëndrimeve mbi të gjitha çështjet nga fushëveprimi i organeve të tjera të Odës. Kryetari i Odës nënshkruan vendimet dhe aktet e tjera të cilat i miraton Kuvendi. Këshilli Drejtues i Odës, përbëhet nga Kryetari i Odës, Kryetari i mëparshëm i Odës, Nënkryetari, shtatë (7) anëtarë - Kryetar të Degëve Regjionale si dhe një (1) anëtar jashtë Odës, personi që është i shquar në lëminë juridike, i cili emërohet nga Kuvendi. Kompetencat e Këshillit Drejtues janë:përcakton propozimin e akteve normative në kompetencë të Kuvendit për miratim, sipas nenit 75 të Statutit të Odës ; miraton akte normative përveç atyre të parashikuara me nën paragrafin 1.1 të këtij neni; vendos për lartësinë e shumës për regjistrim, lartësinë e anëtarësisë dhe lartësinë e shumës së të hollave për obligimet tjera të avokatëve, praktikantëve dhe anëtarëve vullnetarë; vendos për shumën e të hollave me të cilat mund të disponojë Këshilli Drejtues i Odës dhe Kryetari i Odës ; vendos për programin dhe rekomandimet për ngritjen profesionale të avokatëve dhe praktikanteve; vendos dhe jep rekomandime dhe propozime të interesit të përgjithshëm për ushtrimin e avokatisë; përcakton propozimin e buxhetit, llogarisë dhe bilancit të Odës dhe ia paraqet Kuvendit për miratim; udhëheq afarizmin financiar të Odës; përcakton propozimin e raportit mbi punën e Këshillit Drejtues të Odës dhe të Kryetarit të Odës , përgatit raportet për anëtarësimin e Odës në shoqata ndërkombëtare të avokatëve dhe organizatat e tjera dhe i cakton përfaqësuesit e Odës në ato asociacione; kujdeset për përparimin e bashkëpunimit të Odës në vendet e tjera dhe me asociacione të tjera profesionale; përcjell punën e avokatëve, zyrave të përbashkëta, shoqërive të avokatëve dhe praktikanteve si dhe ndërmerr veprime për përparimin e punës së tyre; kryen punë me rëndësi të përgjithshme të Odës; organizon takime pune, tryeza të rrumbullakëta etj; mbikëqyrë publikimin e Buletinit të Odës dhe botimeve tjera; kryen të gjitha punët e përcaktuara me Ligjin për Avokatinë, me këtë Statut dhe akte të tjera të përgjithshme; këshillon dhe njofton anëtarët e Odës për çështjet e detyrimeve profesionale; vendosë për kërkesat e anëtarësisë në Odën dhe ankesat kundër saj; ndërmjetëson në mospajtimet ndërmjet anëtarëve të Odës ; mbikëqyrë përmbushjen e detyrimeve që i takojnë anëtarëve të Odës dhe përmbaron vendimet e Komisionit Disiplinor; kërkon fillimin e procedurës disiplinore, në qoftë se kjo procedurë nuk është iniciuar nga palët e autorizuara; administron me buxhetin e Odës; jep llogari vjetore Kuvendit të Odës për administrimin e Odës ; përgatit ekspertiza, të kërkuara nga organet zyrtare ose ndonjë gjykatë; kontribuon në shkollimin dhe testimin e studentëve dhe praktikantëve; bën propozimin për anëtarin e komisionit për provim të jurisprudencës; përgatit raportin vjetor Kuvendit të Kosovës, për punën e Odës; 1.28 kryen detyrat e ngarkuara nga Kuvendi i Odës të parashikuara me Statutin e Odës. Këshillin e udhëheq Kryetari i Odës, i cili thërret mbledhjet e tij. Këshilli Drejtues vendos me shumicën e votave të anëtarëve. Kompetencat e Kryetarit të Odës janë: drejton dhe udhëheq Odën; përfaqëson Odën; udhëheq procedurën e dhënies së betimit solemn; i lejon pagesat nga arka e Odës deri në limitin e caktuar nga Këshillit Drejtues dhe vendos për shpenzimin e tyre; mbikëqyrë punën e Drejtorit Ekzekutiv të Odës; kryen punë të tjera në pajtim me Ligjin për Avokatinë, këtë Statut dhe aktet tjera normative, duke ndërlidhë aktivitetet ditore të Odës ashtu siç është e përcaktuar me ligj. Për punën e vet përgjigjet para Kuvendit. Mandati i Kryetarit të Odës zgjatë kater vite, me të drejtë të rizgjedhjes edhe për një mandat.

Organizimi territorial / Degët Regjionale të OAK

Dega Regjionale është formë e drejtpërdrejtë e vendosjes dhe e realizimit të drejtave dhe detyrave të avokatëve të cilën e përbëjnë të gjithë avokatët e asaj dege. Degët Regjionale janë organizuar sipas regjioneve të cilat i përgjigjen shtrirjes territoriale të Gjykatave Themelore, sipas organizmit të sistemit gjyqësor të Kosovës, përkatësisht Dega Regjionale në: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj. Dega Regjionale e Odës: 2.1 zgjedhë kryetarin, nënkryetarin, sekretarin dhe delegatët për Kuvendin e Odës dhe të anëtarëve të organeve tjera të Odës; 2.2 jep mendim për të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë themelore të avokatëve dhe të avokatëve praktikantë; 2.3 jep propozime për regjistrim të avokatëve në Regjistrin e avokatëve të Odës; 2.4 diskuton për të gjitha çështjet e punës së avokatëve dhe të avokatëve praktikant në 29 | F a q e territorin e saj, në pajtim me dispozitat e këtij Statuti dhe organeve kompetente të Odës i propozon zgjidhjen e tyre; 2.5 diskuton për ruajtjen e nderit dhe të etikës profesionale të avokatëve; 2.6 kujdeset për kushtet e punës së avokatëve dhe të avokatëve praktikant në territorin e vet; 2.7 zbaton vendimet e organeve të Odës; 2.8 me rastin e bastisjes së zyrës së avokatit sipas urdhërit të gjykatës kompetente, siguron prezencën e përfaqësuesit të Odës; 2.9 Këshillit Drejtues të Odës i paraqet raportin e punës; 2.10 zbaton edhe detyrime tjera në pajtim me ligjin dhe aktet e përgjithshme të Odës. Dega Regjionale ka Kryetarin, Nënkryetarin dhe Sekretarin.

Anëtarësimi / Licencimi

OAK është autoritet i vetëm  për licencimin e avokateve në Kosovë si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë. Licencimin mund ta pretendoje çdo qytetar i Kosovës, pa dallim i cili i ka siguruar paraprakisht kualifikimet e nevojshëm profesionale. Megjithëqë, nuk ka kufizime ligjore në ushtrimin e profesioni, regjistrimi në të kaluarën konsistonte në një verifikimi burokratik se kandidati i plotëson kushtet për regjistrim. Kjo procedure nuk përfshin ndonjë verifikim paraprak të njohjes së rregullave të etikës dhe të përgatitjes profesionale. Para luftës gjatë vitit 1998-1999, Oda multietnike numëronte rreth 600 anëtarë. Pas ardhjes së administratës së përkohshme të KB (qershor 1999), me një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, OAK më 27 prill 2001 e ka mbajtur Kuvendin rithemelimit. Në atë kohë OAK ka numëruar rreth 106 anëtarë. Mirëpo, prej  riorganizimi i provimit të jurisprudencës, që ishte kusht për hyrje në profesion, në dhjetor të vitit 2001, anëtarësia e OAK-së ka shënuar rritje. Në janar 2004 ishin të regjistruar 300 avokatë në OAK. Në mars të vitit 2007 Oda e Avokateve të Kosovës ka numëruar gjithsej 453 avokatë të licencuar në regjistrin e saj, prej tyre vetëm 44 avokatë janë femra (10%)  37 (ose 8%) janë nga radha e komuniteteve pakice (prej tyre: 24 avokate nga komuniteti serb, 7 avokatë nga komuniteti boshnjak dhe 6 avokatë nga komuniteti turk). Kurse, në shtator të vitit 2011 Oda e Avokateve të Kosovës ka numëruar gjithsej 603 avokatë të licencuar në regjistrin e saj, prej tyre vetëm 65 avokatë janë femra (11%)  40 (ose 7%) janë nga radha e komuniteteve tjera (prej tyre: 28 avokat nga komuniteti serb, 2 avokatë nga komuniteti boshnjak, 4 avokatë nga komuniteti turk dhe 6 avokatë te huaj). Nën ndikimet nga jashtë Oda ka qenë e detyruar që të ndërtojë lehtësira të caktuara për te nxitur hyrjen në profesion nga grupet e caktuara: pjesëtaret e minoriteve dhe grave.

Sistemi i disiplinës

Që prej themelimit të Odës së Avokatëve të Kosovës ekzistonte një kornizë etike dhe një sistem i disiplinës i bazuar në principet e vetë disiplinimit. Pas luftës sistemi i etikes profesionale u përmirësuar dhe u ndryshua rrënjësisht në përputhje me rrethanat dhe ambientin juridik të ndryshuar në Kosovë. Kodi i ri i Etikes Profesionale vendosi një sistem të tërësishëm të rregullave të etikës të cilat sanksionojnë raportet reciproke të avokatëve, raportet e avokatëve me klientin, raportet me organizatën - Oden dhe me gjykatat. Sistemi i disiplinës tani përbëhet nga Zyra Disiplinore e Odës, e cila përbëhet nga Zyra e Prokurorit Disiplinore, Komisioni Disiplinor dhe Komisioni për Ankesa.

Sistemi zgjeron numrin e subjekteve të cilat mund ta iniciojnë procedurën disiplinore ndaj avokatit, kurse zbatimi i hetimit dhe ndjekja disiplinore realizohet nga ana e Prokurorit Disiplinorë duke vendosur edhe garanci të mjaftueshme për procedura të drejta, të paanshme dhe të efektshme disiplinore. Ashtu siç është i dizajnuar, duket se sistemi i ri, të  jetë një ambientim i mirë i zgjedhjeve dhe përvojave kooperative në rrethanat kosovare. Praktika e re dëshmon aftësinë e këtij sistemi që të jetë efektiv dhe etikë. Me jetësimin e sistemit të ri disiplinor avokatia promovohet si një shërbim profesional, kompetent, i besueshëm dhe etik.

Aktivitetet

Në çdo sistem juridik shoqatat e avokatëve luajnë rol themelor në funksionimin e sistemit juridik duke ofruar përfitime të rëndësishme për anëtarësinë, profesionin dhe për komunitetin. Rol të veçantë këto shoqata luajnë në mbrojtjen dhe përforcimin e administrimit të drejtësisë, duke shtrirë kuptimin dhe zbatimin e ligjit dhe të institucioneve si dhe duke identifikuar përpjekjet për ndryshimet e nevojshme ligjore. Organizatat e detyrueshme të avokatëve kudo vendosin dhe zbatojnë standarde profesionale dhe etike. Anëtarësia, profesioni ligjor dhe komuniteti janë rrethi kryesor i OAK-së, i cili paraqet edhe rrethin e veprimit dhe të aktiviteteve të saj. Kështu, Oda ofrohet me komunitetin, degët e tjera të zbatimit të ligjit dhe anëtarësinë e vet. Duke i përmbushur nevojat dhe kërkesat e përfituesve nga rrethi, Oda zhvillon pjesën më të madhe të veprimtarisë, përmbushë misionin, siguron zhvillimin dhe afirmon veten.

Shërbimet për anëtarësinë

Anëtarësia është në qendër të aktivitetit të Odës. Oda i mbron interesat jetike të anëtarëve, zhvillon kushtet për ushtrimin e pavarur të veprimtarisë, përkujdeset për trajtimin e drejtë të tyre në procedurat ligjore duke u angazhuar për një ambient i cili do t’u mundësojë anëtarëve një të denjë. Vet avokatët janë të organizuar dhe të bashkuar në OAK për këtë qëllim - të shprehin dhe të mbrojnë interesat e veta profesionale. Oda ka zbatuar programe të veçanta mentorimi dhe aftësimi të gjeneratave.

· Projekti për Praktikantët -  Ka filluar të realizohet me 1 shkurt 2002 me qëllimi aftësimi i juristëve të rinj për ushtrimin e profesionit ligjor dhe krijimin e kushteve për të iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në mënyrë që të përcaktohen për ushtrimin e profesionit të tyre të ardhshëm.

· Projekti për Ndihmë Juridike - Agjencia Evropiane për Rindërtim dhe Oda e Avokatëve të Kosovës më 15 prill  2001, kanë  bashkëpunuar për  realizimin e  programit për ndihmën juridike falas. Kjo kontratë ka vazhduar deri në qershor të vitit 2004. Qëllimi i realizimit të këtij projekti është që në mënyrë të organizuar të mbulohet një zbrazëtirë ekzistuese në sistemin juridik ekzistues, lidhur me ofrimin e Ndihmës Juridike Falas edhe në lëmin Civile dhe Administrative dhe kështu, tu mundësohet qytetarëve në gjendje të veçantë ekonomike, të përfitojnë nga shërbimet profesionale të avokatëve në  kontestet civile pranë gjykatave dhe në çështjet administrative pranë organeve të  administratës në Kosovë.

· Programi i Arsimimit të vazhdueshëm Ligjor (AVL) - Është ndërtuar në bashkëpunim me Partnerët për ngritjen e nivelit të kompetencës profesionale dhe të shkathtësive praktike të anëtarëve të vet. Programi ka për qëllim zgjerimin e njohurive profesionale, zhvillimin e shkathtësive praktike dhe forcimin e etikës profesionale. Në themelet e këtij Projekti është synimi për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ligjore. Ne vitin 2009 me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për avokatinë përkatësisht me aprovimin e Rregullores për Arsimimin e vazhdueshëm Ligjor, AVL bëhet e obligueshme për avokatët në Kosovë. Për ruajtjen e licencës avokatët obligohen të përmbushin kreditë e caktuara brenda vitit të parapara me këtë rregullore.

· Programet për Etikë dhe Disiplinë – Oda në fillim të vitit 2003, ka themeluar Komitetin për Etike dhe Disiplinë, me qëllimin e reformimit të Kodit të  Etikës dhe Disiplinës së avokatëve dhe Sistemi Disiplinor  në tërësi. Komiteti në bashkëpunim me ABA CEEL-in duke  rishqyrtuar në vazhdimësi Kodin e Etikës dhe sistemin disiplinor e kane arritur  reformimin e plote  të kornize së etikes dhe ndërtimit të një sistemi tërësisht të ri të për disiplinimin e avokateve. Krahas këtyre, një seri e tërë programesh, tjerash nga të cilat përfitojnë anëtarët e odës zbatohet nga Komitetet e veçanta. Nevojat dhe kërkesat e anëtarëve   paraqesin udhërrëfyesin kryesor të aktivitetit dhe programeve  të Odës. Tani etika profesionale zë 30% të programit vjetor të Arsimimin e vazhdueshëm Ligjor të Obliguar si dhe Testit hyrës për avokat.

Shërbimet për profesionin ligjor

Duke qenë pjesë e sistemit të drejtësisë Oda e ka pothuajse të imponuar dhe të domosdoshëm komunikimin me degët e tjera të këtij sistemi. Për më tepër, nga organizimi dhe aktivitetet e Odës përfitojnë organet tjera të profesionit ligjor dhe organet e administratës shtetërore, Oda ka thelluar bashkëpunimin sidomos bashkëpunimin me SHGJK dhe SHPK me qellim të promovimit të idealeve të drejtësisë, transparencës gjyqësore dhe procedurat e drejta. Një aktivitet te ngjeshur disamujor OAK e ka zhvilluar në bashkëpunim me këto shoqata ne luftimin e korrupsionit dhe të dukurive korruptive në sistemin e drejtësisë kosovare.

Për Komunitetin

Duke qenë veprimtari me interes të veçantë shoqëror, nga aktiviteti i Odës përfitojnë edhe segmentet më të gjëra të shoqërisë, e jo vetëm anëtarët e saj. Komuniteti i gjerë përfiton nga organizata e këtillë e pavarur profesionale e avokatëve, çfarë është OAK. Oda është përfshirë në Programe të Ndihmës Juridike falas, pastaj programe të vetëdijesimit ligjor të komunitetit, programe të mësimit klinik për studentet e drejtësisë etj.

Aktivitetet e bashkëpunimit

OAK ka zbatuar programet e bashkëpunimit me organizatat dhe shoqatat e tjera joqeveritare nga profesioni ligjor, si: ABA/ROLI (me parë e njohur si ABA-CEELI), UNDP, Këshilli i Evropës, NCSC, Komisionin Evropian, OSBE - Misioni në Kosovë, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, Qendra për të Drejtat e Njeriut të UP-së, UNICEF, USAID, Twinning Project, Qendra Juridike e Kosovës, Komisioni i Ndihmës Juridike etj.